Stuhia e rërës godet Kinën, përkeqësohet ndotja e ajrit

schedule16:54 - 22 Mars, 2023

schedule 16:54 - 22 Mars, 2023

Një stuhi e fortë rëre përfshiu Pekinin dhe disa provinca të tjera kineze, duke mbuluar qiellin me një re të trashë pluhuri portokalli dhe ndotja e ajrit u rrit në nivele të rrezikshme, sipas agjencisë shtetërore meteorologjike. Grimcat ndotëse janë më të vogla se 10 mikrometra në diametër dhe hyjnë në mushkëri përmes hundës.

Autoritetet në kryeqytetin kinez paralajmëruan qytetarët që të mos dalin për stërvitje dhe aktivitete të tjera, ndërsa u bënë thirrje drejtuesve të mjeteve që të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të lëvizin me shpejtësi të ulët për shkak të dukshmërisë së kufizuar.

Sipas qendrës së monitorimit të Pekinit, në orën 6 të mëngjesit (me orën lokale), përqendrimet e grimcave PM10 arritën në 1,667 mikrogramë për metër kub, nivele që e bëjnë “stuhinë e rërës më intensive që ndodh brenda vitit 2023”.

Ky nivel ndotësish është 37 herë më i madh se vlera mesatare ditore prej 45 mikrogramë për metër katror i cili rekomandohet si kufi i tolerueshëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Pekini goditet rregullisht nga stuhitë e rërës në pranverë, me smogun që përkeqësohet nga aktiviteti i rëndë industrial dhe shpyllëzimi i shpejtë në veri të vendit.

Stuhia aktuale e rërës filloi në Mongoli dhe gradualisht u zhvendos drejt Kinës qendrore dhe lindore, sipas meteorologëve. Mungesa e reshjeve dhe sistemeve me presion të ulët kontribuan në përhapjen e mëtejshme të grimcave të rërës në territor. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!