Stuhia dëbores godet Kanadanë, qindra mijëra familje pa energji elektrike

schedule21:39 - 7 Prill, 2023

schedule 21:39 - 7 Prill, 2023

Qindra mijëra familje në Quebec kanë mbetur pa energji elektrike sot, për shkak të një stuhie dëbore në Kanadanë lindore, e cila shkaktoi vdekjen e dy personave dhe shumë dëme materiale kryesisht në Montreal.

“Ne kemi rivendosur energjinë elektrike për pak më shumë se një të tretën e banorëve të prekur nga ndërprerjet e shkaktuara nga stuhia e dëborës,” njoftoi ofruesi i energjisë elektrike Hydro-Québec.

Gati 630,000 familje mbetën në errësirë ​​deri në mesditën e sotme, krahasuar me 1.1 milion që ishin në mëngjes.

“Ne jemi shumë të kënaqur me trajtimin e krizës nga Hydro-Québec,” tha Ministri i Ekonomisë dhe Energjisë së Quebec Pierre Fitzgibbon në një konferencë shtypi.

Kompania vlerëson se është në gjendje të rikthejë energjinë tek shumica e klientëve deri në mbrëmjen e së premtes.

“Ne e dimë se për disa klientë kjo do të zgjasë deri të dielën, ndoshta edhe të hënën,” tha zëdhënësi i Hydro-Québec Regis Tellier.

Qyteti i Montrealit, i cili regjistroi gati gjysmën e ndërprerjeve, hapi gjashtë strehimore të përkohshme emergjente ku banorët pa energji kaluan natën.

Këto qendra mbetën të aksesueshme gjatë ditës për ata që donin të ngroheshin në ditën e parë të fundjavës së gjatë të Pashkëve.

Autoritetet kanë regjistruar dy vdekje që nga fillimi i stuhisë në Kanada: një banor i Ontarios lindore u vra nga një pemë që u rrëzua të mërkurën dhe një burrë 60-vjeçar në Quebec u plagos për vdekje nga një degë ndërsa përpiqej të pastronte kopshtin e tij të enjten.

Qindra punëtorë të Montrealit po punonin ende sot në zonë, kryesisht në parqe ku shumë degë u shpërndanë në tokë pasi u shembën nën peshën e akullit.

Autoritetet vazhduan t’i këshillojnë banorët të qëndrojnë larg linjave të energjisë elektrike.

Stuhia goditi Quebec dhe Ontario, dy provincat më të populluara të Kanadasë. Kjo është ndërprerja më e madhe e energjisë elektrike në Quebec që nga kriza e akullit të vitit 1998, e cila e zhyti provincën në kaos për disa javë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!