Studimi:Vaksina e përgatitur nga Universiteti i Oksfordit sjell përgjigje imunitare ndaj Covid-19

schedule17:41 - 20 Korrik, 2020

schedule 17:41 - 20 Korrik, 2020

Vaksina kundër koronavirusit, e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit duket të jetë e sigurt dhe shkakton përgjigje imunitare ndaj virusit.

Testet klinike, në të cilat morën pjesë 1,077 persona në Britaninë e Madhe treguan se bërja e injeksionit sillte krijimin e antitrupave dhe qelizave T, të cilat mund ta luftojnë koronavirusin.

Këto zbulime janë shumë premtuese, por është ende herët për të ditur nëse kjo është e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje ndërsa teste klinike më të mëdha janë duke u zhvilluar, shkruan BBC, përcjell Abcnews.al

Britania e Madhe ka porositur që tani 100 milion doza të kësaj vaksine.

Si funksionon kjo vaksinë?

Vaksina, e quajtur ChAdOx1 nCoV-19, po zhvillohet me një shpejtësi të paparë, duke marrë parasysh kohën që duhet për të prodhuar një vaksinë në kushte normale.

Ajo është krijuar nga një një virus i modifikuar gjenetikisht që shkakton ftohjen e zakonshme tek  shimpanze.

Virusi është modifikuar në një masë të madhe kështu që nuk mund të shkaktojë infeksione ndërsa po ashtu, është ndërhyrë tek ai në një mënyrë të tillë që e bën të “duket” më shumë si koronavirusi.

Shkencëtarët e bënë këtë duke transferuar udhëzimet gjenetike të proteinës tipike me “kunja” të koronavirusit, mjetin kryesor që ai përdor për të pushtuar qelizat tona, në vaksinën që po zhvillohet.

Kjo do të thotë që vaksina i ngjan koronavirusit dhe sistemi imunitar mund të mësojë se si ta sulmojë atë.

Çfarë janë antitrupat dhe qelizat T?

Duket sikur të gjithë janë përqendruar tek prodhimi i antitrupave, por këto janë vetëm një pjesë e mbrojtjes sonë imune.

Antitrupat janë proteina të vogla të krijuara nga sistemi imunitar që ngjiten në sipërfaqen e viruseve.

Antitrupat neutralizues mund ta çaktivizojnë koronavirusin.

Qelizat T, një lloj qelizë e bardhë e gjakut, ndihmojnë në koordinimin e sistemit imunitar dhe kanë aftësinë që të zbulojnë se cilat nga qelizat e trupit janë infektuar dhe më pas i shkatërron.

Pothuajse të gjitha vaksinat efektive shkaktojnë antitrupa dhe një përgjigje të qelizës T. Nivelet e kësaj qelize kulmojnë në trupa 14 ditë pas vaksinimit ndërsa niveli i antiturpave kulmon pas 28 ditësh.

Prof Andrew Pollard, nga grupi i kërkimit në Oksford, u shpreh për BBC:

“Ne jemi vërtet të kënaqur me rezultatet e publikuara sot teksa po shohim si antitrupat neutralizues ashtu dhe qelizat T. Gjetjet janë jashtëzakonisht premtuese dhe ne besojmë se lloji i përgjigjes mund të shoqërohet me mbrojtje. Por pyetja kryesore që të gjithë duan të dinë është se a funksionon vaksina, doza që ofron mbrojtje … dhe ne jemi në një lojë pritjeje.”

Studimi tregoi se 90% e personave të vaksinuar zhvilluan antitrupa neutralizues pas një doze. Vetëm dhjetë personave iu dhanë dy doza dhe të gjithë prodhuan antitrupa neutralizues.

“Ne nuk e dimë nivelin e nevojshëm për mbrojtje, por mund të maksimizojmë përgjigjet me një dozë të dytë,” shtoi Pollard.

Pritet që para fundit të këtij viti të merret vesh nëse vaksina kundër koronavirusit është efektive dhe e sigurt apo jo. /abcnews.al/