Nga Emirjon Senja
Raportet mes shqiptarëve dhe grekëve duket të jetë përmirësuar gjatë viteve të fundit, teksa vërehet një qasje pozitive të qytetarëve të secilit shtet ndaj njeri-tjetrit, gjë që ka nevojë të pasqyrohet edhe në marrëdhëniet mes politikës.
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Hellenic Foundation for European and Foreign Policy (ELIAMEP) zhvilluan një studim të përbashkët mbi perceptimet dhe qëndrimet që kanë qytetarët shqiptarë dhe grekë ndaj njëri-tjetrit duke nxjerrë prej tij rezultate mjaft interesante duke pasqyruar realisht atë se çfarë mendojnë grekët për shqiptarët dhe këta të fundit për fqinjët e tyre grekë.
Studimi në fjalë u prezantua të enjten pranë ambienteve të Institutit Shqiptar të Medias me pjesëmarrjen e gazetarëve dhe studiuesve të ndryshëm.
Në prezantimin e tij, Profesori Ioannis Armakolas tha se pjesa dërrmuese e shqiptarëve dhe grekëve nuk e shohin njeri-tjetrin si rrezik, ndërsa marrëdeniet sipas tij janë përmirësuar gjatë viteve të fundit, gjë që duhet të reflektohet edhe në qasjen që kanë qeveritë ndaj njëra-tjetrës.
Ndërkohë, studiuesi dhe menaxheri i këtij projekti Klodjan Seferaj nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë tha duke iu referuar studimit se shqiptarët kanë perceptim kryesisht pozitiv edhe për shtetin grek duke e perceptuar atë si një vend i përparuar ku respektohen të drejtat e njeriut.
Më poshtë, sjellim disa nga gjetjet e këtij studimi:
Vendi mik
Sipas studimit, 29% e shqiptarëve shohin SHBA-të si mikun më të mirë të Shqipërisë; 22 për qind shohin Gjermaninë, 16 % BE-në, 12 % Italinë, etj.
Ndërkohë, gati 30% e grekëve shohin Francën si mikun më të mirë të tyre, ndërsa 24% thonë se Greqia nuk ka asnjë mik përveç vetes.
Rreziku
73% e shqiptarëve nuk besojnë e ka një shtet që përbën rrezik për ta, ndërkohë që 89 % e grekëve mendojnë se ekziston një shtet që paraqet rrezik për ta dhe shumica e tyre mendojnë se është Turqia (80.5%).
Vendi fqinj
95% e shqiptarëve rezulton të kenë mendim pozitiv për Kosovën; 94% për Italinë; 84% për Turqinë, etj, kurse 59% rezulton e të anketuarve rezulton të kenë mendim negativ për Serbinë.
Sa i përket grekëve, 75.5 % e tyre kanë mendim negativ për Turqinë; ndërkohë që 41% e tyre kanë mendim negativ edhe për Shqipërinë. 16.5 për qind e grekëve kanë mendim pozitiv për Shqipërinë, ndërsa 42.5% e tyre kanë një qendrim neutral.
Qasja duket disi e kundërt në Shqipëri, ku 61% e të anketuarve kanë mendim pozitiv për Greqinë dhe vetëm 27% e tyre kanë mendim negativ.
Marrëdheniet me Greqinë
6 nga 10 shqiptarë mendojnë se në ditët e sotme Shqipëria ka marrëdhënie të mira me Greqinë.
Sidomos, në jug të Shqipërisë ku 8 nga 10 e të anketuarve mendojnë se marrëdhënie të tilla janë në një formë të mirë.
Ndërkohë, 1 nga 3 grekë mendojnë se në ditët e sotme Greqia ka marrëdhënie të mira me Shqipërinë, kurse gjysma e të anketuarve theksojnë se shtetet kanë raporte normale, as të mira dhe as të këqija. Vetëm 16% e grekëve mendojnë se Shqipëria dhe Greqia kanë marrëdhënie të këqija.
Problemet
Opinioni publik shqiptar beson se ka dy çështje që ndikojnë disi në marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë; dhe këto janë çështja e Zonës Ekonomike Ekskluzive / caktimi i zonave detare, i ndjekur nga çështja e Çamëve – që nuk njihen nga Greqia dhe/ose pretendimet e Shqipërisë për pronat e tyre në Greqi.
Ndëkohë, opinioni publik grek nuk ndan ndonjë shqetësim të dukshëm për çështje që mund të rrezikojnë marrëdhëniet dypalëshe.
Të thënat e përmendura nga të anketuarit, si ekspansionizmi shqiptar (p.sh.. “Shqipëria e madhe”, qëndrimet ndaj minoritetit grek apo ndryshimit kulturor në përgjithësi, hasen si besime të shpërndara, më tepër sesa një pamje konkrete e një pjese të konsiderueshme.
Çështja çame
Ajo që bie në sy lidhet me faktin se një pjesë e mirë e grekëve nuk kanë informacion mbi çfarë ka ndodhur me çamët dhe pronat e tyre atje. Pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë dijeni rezulton të jenë të rinj, ndërsa pasja dijeni rritet me rritjen e moshës së të anketuarve sipas sondazhit.
Situata paraqitet më ndryshe në Shqipëri. Raportohet se 85% e të anketuarve në Shqipëri janë në dijeni për çështjen çame.
Minoriteti
Shqiptarët dhe grekët ndahen në mendimet e tyre sa i përket mendimit të tyre për mënyrën se si trajtohet minoriteti grek në Shqipëri.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve besojnë se minoriteti grek në Shqipëri trajtohet me dinjitet dhe nuk i shkelen të drejtat. Ndërkohë, 78% e grekëve besojnë se minoritetit të tyre këtu nuk i respektohen të drejtat. /abcnews.al