Studimi i ECDC: Një në 100 fëmijë të infektuar me COVID, ka nevojë për shtrim në spital

schedule21:04 - 17 Dhjetor, 2021

schedule 21:04 - 17 Dhjetor, 2021

Foshnjat deri në dy muaj dhe adoleshentët 12-17 vjeç janë dy grupmoshat e të miturve më të rrezikuar për të pasur nevojë për kujdes në rast se sëmuren me Covid-19, sipas një studimi nga shkencëtarët në qendrën Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC).

Sipas studimit, mesatarisht mes moshës 0-17 vjeç raporti i fëmijëve që mund të shtrohen në spital për shkak të COVID është 1 me 100.

Studiuesit analizuan të dhënat nga dhjetë vende europiane gjatë periudhës më shumë se 1-vjeçare gusht 2020-tetor 2021.

Nga rreth 820 mijë rastet totale të përfshira në studim, 9,611 prej tyre kërkonin shtrim në spital, 640 kishin nevojë për shtrimin në njësinë e kujdesit intensiv ndërsa 84 raste përfunduan me fatalitet.

“Shumica e fëmijëve asimptomatikë kanë një rrezik shumë të ulët për fatalitet ose shtrim në spital”, thanë studiuesit.

Përfundimi i analizës është se grupmosha më e re deri në dy muaj ka rrezikun më të lartë të shtrimit në spital për shkak të Covid-19. Megjithatë, atëherë rreziku zvogëlohet deri në moshën nëntë vjeç dhe rritet përsëri midis moshës 12 dhe 17 vjeç.

Nga ana tjetër rreziku për fatalitet është më i lartë te fëmijët me sëmundje bashkëshoqëruese si kanceri apo diabeti. Shanset për shtrim në spital dhe fatalitet janë 9 deri në 27 herë më të larta për fëmijët me sëmundje të tjera. Megjithatë 84% e atyre që janë shtruar në spital nuk kanë pasur asnjë sëmundje tjetër. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!