Gjumi i pasdites, madje edhe vetëm pesë minuta në ditë mund të përmirësojë aftësinë tuaj mendore dhe t’ju ndihmojë të shmangni demencën. Në një studim morën pjesë 2.214 të moshuar kinezë mbi 60-vjeç, të cilët jetonin në qytete të mëdha. 1.534 prej tyre raportuan se flinin gjumë pasdite, ndërmjet pesë minutash dhe dy orë, sipas “Daily Mail”.
Studimi tregoi se ata që bënin një sy gjumë pasdite kishin vetëdije më të mirë, rrjedhshmëri verbale dhe memorie më të fortë. Ekipi zbuloi gjithashtu se ata që flinin gjatë pasdites kishin nivele më të larta të një yndyre të quajtur triglicerid në gjak, që do të thotë se dremitja është e lidhur me faktorët shoqërues të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, shkruan abcnews.al.
Studiuesit gjithashtu paraqitën disa shpjegime të mundshme për gjetjet – përfshirë teorinë që gjumi rregullon reagimin imunitar të trupit dhe dremitja mund të jetë një përgjigje e evoluar ndaj inflamacionit. “Individët me nivele më të larta të inflamacionit gjithashtu dremitin më shpesh”, thonë studiuesit./abcnews.al