Studentja 24-vjeçare gjen vdekjen nga kequshqyerja, shpenzonte gjithçka për të kuruar vëllanë

schedule13:40 - 18 Janar, 2020

schedule 13:40 - 18 Janar, 2020

Një vajzë vetëm 24 vjeçe e cila kishte mbetur jetime dhe me një vëlla me aftësi të kufizuara për të cilin kujdesej, gjeti vdekjen prej kequshqyerjes pas një agonie të gjatë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në provincën e Guizhou, një prej më të varfrave në Kinë, ku studentja konsumonte vetëm një vakt në ditë dhe e kalonte pjesën më të madhe të kohës duke punuar për të paguar shpenzimet për kurat e të vëllait.

Është kjo historia e trishtë e Wu Huayan, e gjatë një metër e 35 centimetër dhe që peshonte më pak se 22 kilogramë.

 

Gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua në muajin tetor, duke u detyruar që ti drejtohet spitalit, por aty gjeti vdekjen pas disa muajsh agoni.

Wu Huayan kishte mbetur jetime nga të dy prindërit kur ishte vetëm katër vjeçe dhe ishte studente në Guihua Shenghua Vocational and Technica College. Për të paguar kurat e vëllait, vajza merrte 300 yuan në muaj, ose rreth 40 euro, nga ana e shtetit.

Një shifër e pamjaftueshme, kështu që  ajo bënte punë të ndryshme në mënyrë që të siguronte 600 yuan në muaj.

Pjesa më e madhe e parave shkonte për kurat e vëllait, kështu që e reja konsumonte vetëm një vakt në ditë, dhe thuajse gjithmonë oriz. Disa të njohur të vajzës deklaruan për mediat se gjendja e saj vijonte kështu prej vitesh. Situata ndryshoi disi kur vajza nisi studimet e larta, për shkak se merrte gjysmë burse për të paguar studimet, por sërish ishin të pamjafrueshme.

 

Kequshqyerja kishte shkaktuar pasoja të rënda tek ajo, si probleme kardiake, probleme në dëgjim dhe humbje flokësh.

Kur ajo u shtrua në spital, historia e saj u bë publike, dhe për ti ardhur në ndihmë u mblodhën rreth 60 mijë euro, dhe afërsisht 2600 euro asistencë mujore.

Por këto ndihma erdhën shumë vonë, pasi  vajza gjeti vdekjen. Vdekja e 24-vjeçares shkaktoi zemërim të madh në të gjithë Kinën, ku shumë njerëz akuzuan shtetin se nuk bëri asgjë për ta ndihmuar. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kina është një prej vendeve në botë, ku pabarazia gjinore është më e theksuar./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!