Studentët në Hong Kong bojkotojnë ditën e parë të shkollës

schedule14:13 - 2 Shtator, 2019

schedule 14:13 - 2 Shtator, 2019

Paralelisht me nisjen e një greve të përgjithshme dy ditore, me mijëra student në hong Kong bojkotuan ditën e parë të këtij viti shkollor për të protestuar në mbështetje të demokracisë. Gjatë pasdites së të hënës është paralajmëruar një tjetër manifestim i madh.

Me mijëra studentë në Hong Kong bojkotuan leksionet në ditën e parë të vitit të ri shkollor për të protestuar kundër shtypjes së manifestimeve pro demokracisë. Sipas organizatorëve 10 mijë studentë në territorin gjysëm të pavarur kinez nuk u prezantuan në sallë në ditën e parë të shkollës. Iniciativa e studentëve ndodh në të njëjtën kohë me nisjen e një greve të përgjithshme dy ditore dhe një manifestimi të madh. Protestat e fundjavës u shoqëruan me episode dhune më të rënda që kur 13 javë më parë, nisi lëvizja e provokuar nga një ligj tashmë i pezulluar, i cili mbështet ekstradimin në Kinë të qytetarëve në Hong Kong të akuzuar për krime penale. Më pas protestat u përqendruan në kërkesat për hetim mbi dhunën e përdorur nga policia gjatë manifestimeve.

Të shtunën e kaluar protestuesit hodhën bomba Molotov, ndezën zjarre dhe sulmuan ndërtesën e parlamentit të qytetit ndërsa policia përdori ujë me presion, plumba gome dh gaz lotsjellës. Të premten liderë të ndryshëm të lëvizjes pro demokracisë u arrestuan. Mëngjesin e të hënës aktivistët pengonin trafikun në pika të ndryshme duke shkaktuar kaos. Studentët u mblodhën në Edinburgh Place në qendër të qytetit. Një prej tyre duke folur për mediat kineze u shpreh se ishte i gatshëm  të përballej me pasoja disiplinore. Shumë prej tyre kishin mbuluar njërin sy në mbështetje të një protestueseje e cila u plagos në njërin sy nga policia gjatë protestës së parë. /ABC News Albania 24/7