Studentët mbledhin 700 firma për rikthimin e abonesë, Bashkia: Do të dalë brenda javës

schedule19:17 - 27 Tetor, 2020

schedule 19:17 - 27 Tetor, 2020

Rreth 700 studentë i kanë dorëzuar peticion Bashkisë Tiranë për rikthimin e abonesë 600 lekëshe në prag të nisjes së vitit të ri akademik.

“Qëndresa Qytetare” si iniciuesi e peticionit online mbështeti studentët për mbledhjen e firmave në kohë rekord sipas Rigels Xhemollarit, drejtues i qëndresës.

“Peticioni u firmos nga 669 studentë të cilët nënshkruan peticioni elektronik nëpërmjet një platforme elektronike. U dorëzua ditën e djeshme pranë Këshillit Bashkiak Tiranë. Peticioni u nënshkrua brenda 5 ditëve tejkaloi dhe pritshmërinë tona sa i përket pjesëmarrjes së studentëve në peticion”, tha Rigels Xhemollari.

Sipas “Qëndresës Qytetare” që monitoron problematikat e të rinjve, brenda kësaj jave në Tiranë do hidhen në treg rreth 21 mijë abone studenti, por janë të pamjaftueshme.

“Për të gjitha godinat universitare në kryeqytet akomodojnë rreth 70 mijë studentë në vit, kjo është një shifër e lartë dhe në raport me abonetë që prodhon Bashkia gjithmonë ka pasur problematika. Sipas informacioneve që ne kemi këtë muaj do të dalin 21 mijë abone në treg, një shifër kjo që nuk e përballon dot fluksin”, u shpreh Xhemollari.

Ndërkohë nga ana e Bashkisë Tiranë bëhet e ditur se aboneja e studentit prej 600 lekësh do të hidhet në treg, duke përcaktuar edhe pikat e shitjes e kriteret përkatëse.

Viti i ri akademik 2020-2021 do të nisë më datë 2 nëntor në të gjitha universitetet publike e jo publike të vendit./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!