Të hënën studentët dhe pedagogët do të rikthehen në auditore për të nisur vitin e ri shkollor me kushtin e vaksinës ose paraqitjes së një testi PCR. Po sa të përgatitur janë universitetet për nisjen e procesit mësimor.
Në “ABC Live” rektorët dhe zv/rektorët e universiteteve të Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës biseduan me gazetaren Juli Xhokaxhi duke treguar se si do të vihet në zbatim ky proces. Ksanela Stofiroksi, rektore Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës u shpreh se do të ketë një vendim pasi të kryhet verifikimi i studentëve të pajisur me teste apo vaksina.
“Ditën e hënë ne fillojmë mësimin në auditorë dhe do kemi një proces të verifikim të testeve dhe vaksinave. Pasi të kemi një situatë më të qartë do vijojmë me vendimet. Nuk ka shumë vend për vendime pasi ne e dimë që mësimi do të fillojë në auditor, u shpreh ajo.
Frosina Londo zv/rektore e universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë tha se janë ngritur dy qendra vaksinimi në fakultete si dhe është kryer një fushatë sensibilimi për studentët. Ajo u shpreh se në javën e parë do të mjaftohen edhe me një dozë vaksine.
“Prej ditës së hënë janë ngritur dy qendra vaksinimi pranë fakulteteve të universitetit tonë. Është bërë sensibilizimi i studentëve për t’u vaksinuar. Nuk ka pasur pjesëmarrje masive në këto dy ditë. Në javën e parë do të mjaftohemi edhe me një dozë vaksinimi. Studentët do jenë të gjithë me maska. Edhe pedagogët. Edhe stafi administrativ. Edhe me një dozë vaksinimi mund të jenë pjesë e auditorit”, deklaroi ajo.
Peci Naqellari nga Universiteti i Elbasanit tha se situata është nën monitorim duke theksuar se nga e hëna do të veprohet në bazë të rekomandimit të Ministrisë.
“Ne kemi bërë një pyetësor online dhe mund të them se një pjesë e studentëve janë të vaksinuar me një ose dy doza. Ne e kemi gjendjen në monitorim. Ditën e hënë ne do u kërkojmë studentëve certifikatën dhe kartën e vaksinimit.
Ne në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit në muajin qershor studentët u kthyen në auditorë pjesërisht. Ne riparuam ato boshllëqe. Pa dyshim edhe në vijim do reflektohet këto dobësi dhe ne do përpiqemi t’i mbulojmë ose t’i plotësojmë ato mangësi”, tha Naqellari. /Abcnews.al