Studentë të UBT dhe nxënës e mësues nga Farka dhurojnë 170 pemë, Veliaj: Në pranverë, hapësira më e madhe e gjelbër

schedule12:34 - 28 Janar, 2023

schedule 12:34 - 28 Janar, 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe nxënës e mësues të shkollave të Farkës, mbollën 170 pemë të reja në Parkun e Liqenit të Madh të Farkës. Kryebashkiaku Veliaj ndau lajmin e mirë se në pranverë hapet Parku i Liqenit të Farkës, hapësira e gjelbër më e madje në kryeqytet.

“Sot kam 170 mirënjohje për 170 pemët që çunat e gocat e Farkës dhe ata të Universitetit Bujqësor kanë mbjellë në këtë hapësirë, që po transformohet në mënyrë të paimagjinueshme. Këtë pranverë, përveç se të presim sythat e parë të këtyre pemëve, do të presim edhe hapjen e parkut të madh të Farkës. Është një park më i madh se i Liqenit të Tiranës. E di që për ata që kanë parë transformimin e Liqenit të Tiranës, mendojnë se ai është një ndër parqet më të bukur në Ballkan, por parku i Farkës do jetë edhe më i bukur. Ka vërtet një investim cilësor, por mbi të gjitha është edhe një hapësirë më e madhe”, tha Veliaj.

Pedonalja që rrethon liqenin e Farkës do të shërbejë edhe për stërvitjen e sportistëve të kryeqytetit, sidomos këtë vit kur Tirana mban titullin “Qyteti Europian i Sportit”.

“Parku i Farkës do jetë pa dyshim investimi më i madh i Tiranës së gjelbër për këtë vit dhe çfarë koincidence ideale që përkon me Tiranën, Qyteti Europian i Sportit, ku ne vërtet duam që, siç kemi filluar me Triathlonën, një pjesë e maratonës kalon këtu, një pjesë e turit çiklistik kalon këtu, ndaj duam që ta animojmë me pafundësi aktivitetesh, që të kemi mundësi, që njerëzit edhe ta njohin parkun e Farkës, por edhe të ulim dhe të shfryjmë pak fluksin e jashtëzakonshëm që kemi tek Parku i Liqenit të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Në fund kryebashkiaku ftoi qytetarët që të mos harrojnë fushatën e mbjelljes së pemëve, dhe të kontribuojnë për qytetin, siç po bëjnë çunat dhe gocat e Universitetit Bujqësor dhe çunat e gocat e Farkës, që në fund të 2030-ës të arrihet qëllimi i mbjelljes së 2 milionë pemëve.

“Mbill edhe ti një pemë dhe Tirana bëhet më e gjelbër, falë edhe asaj pemës që ka mbjellë secili prej nesh. Ftesa për të gjithë është: Të shash është kollaj, të marrësh një lopatë është pak më e vështirë, se do pak përgatitje, do një planifikim, do edhe sigurisht ca shoke shoqe, që të bëni një aksion mbjellje. Jam shumë i inkurajuar që planin tonë për të mbjellë 2 milionë pemë deri në vitin 2030 e kemi thuajse në mes, kështu që shumë shpejt, besoj në javët ardhshme, ne do kapim shifrën e një milionë pemëve të evidentuara”, përfundoi Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!