Banderolën e shpalosën në Korpusin e Universitetit të Tiranës. Studentë të universiteteve publike në organizmin e Lëvizjes për Universitetin i rikthehen protestave me kërkesën për uljen e tarifave të studimit, rritjen e buxhetit për arsimin dhe krijimin e një shtëpie botuese publike ku librat universitarë mund t’i blejnë me çmime të arsyeshme. Me thirrjet për t’u dëgjuar studentët marshuan drejt kryeministrisë.
“Unë jam viti i parë gazetari. Tarifa jonë është 300 mijë lekë në vit. Mua m’i paguajnë prindërit sepse vetë nuk punoj, plus shtëpia me qera, plus shpenzime të librave nuk na mjaftojnë”, u shpreh një studente.
“Mund të rritet shumë mirë buxheti sepse ka para të buxhetit që harxhohen kot”, u shpreh një tjetër.
“Jemi në kushte skandaloze. Po vjen dimri duhet të marrim xhupa, duhet të shtrëngohemi fort që të shkojmë në shkollë”, tha një protestuese.
Studentët të mbështetur nga pak pedagogë rikthehen dhe përsërisin kërkesat e tyre poshtë zyrës së kryeministrit pas nëntë muaj heshtje.
“Në qoftë se nuk të dëgjojnë një herë nuk do të thotë që të heqësh dorë nga e drejta. Ne do luftojmë deri sa të kemi frymë për universitetin e lirë. Falë rezistencës kemi arritur të ngrijmë rritjen e tarifave. Ka ardhur koha që të kërkojmë uljen e tyre dhe rritjen e buxhetit për arsimin e lartë”, tha pedagogu Jani Marka.
“Univeristeti prej tarifave dhe kërkesave të larta po kthehet në një situatë ku studentët nuk po vlerësohen më sipas meritës, por sipas xhepit. Ne e dimë që kjo qeveri është tërësisht e korruptuar ama si çdo qeveri ka frikë nga masa e madhe e njerëze, e studentëve dhe pedagogëve. Ne do këmbëngulim derisa të arrijmë në atë masë kritike që t’i bëjmë ata të na e vënë veshin”, u shpreh Arlind Qori.
Bashkë me studentët ishte edhe ish-zëvendësministri i Arsimit. Taulant Muka përsëriti nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” atë që thote se ja ka bërë të ditur edhe ministres Lindita Nikolla në dy javët e qëndrimit në detyrë.
“Unë e shikoj arsimin e lartë si të lidhur ngushtë me shkencën. E shikoj si një mundësi për të përmirësuar universitetet publike, kryesisht Universitetin e Tiranës që është goditur në mënyrë flagrante vitet e fundit duke i dhënë prioritet universiteteve të tjera. Ka shumë ndryshime në mënyrën se si e shikoj me ministren situatën aktuale dhe uroj që sot të dalim me një mendim ndryshe. Dhe ndoshta ajo dorëheqja ime e ka bërë të reflektojë, por duhet të ishte pasuar edhe me dorëheqjen e vet”, tha Muka.
Këtë vit akademik studentët e quajnë një vit rezistence ndërkohë paralajmërojnë të tjera protesta dhe bllokim të jetës universitare./abcnews.al