Strazimiri pas videos së Abc News: PS strehë për horrat, kryebashkiaku i Bulqizës duhet të hetohet

schedule11:47 - 23 Janar, 2020

schedule 11:47 - 23 Janar, 2020

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri në një deklaratë për mediat hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama se po pengon drejtësinë, duke theksuar se tashmë kryebashkiaku i Bulqizës duhet të ishte marrë në hetim.

“Në krye të bashkisë kemi shërbëtorë, në organet  e drejtësisë kriminela. Te vetmit që nuk janë skandalizuar nga video e publikuar nga gazetari Artan Hoxha janë bashkëpunëtorët e Edi Ramës. Kryeministri i vendit refuzon testin e drogës. Kryebashkiaku i Bulqizës duhet të ishte marrë në hetim, por Edi Rama i Bulqizës ka mbrojtjen e Edi ramës së Tiranës. Ai nuk është arrestuar se drejtesia është e kapur. Është faktuar se kapja e drejtësisë . Kura e vetme është ndarja e politikës nga krimi. Shndërrimi i PS në një streh për horrrat dhe banditët janë plagët më të mëdha që Rama i ka shkaktuar vendit. Largimi i Edi Ramës është tashmë një emergjencë kombëtare”, deklaroi Strazimiri.

Deklarata e plotë:

Video e kryebashkiakut ilegjitim të Bulqizës, që konsumon kokainë në një mjedis publik është  pasqyra e shtetit që ka ndërtuar Edi Rama. Një i droguar, i lidhur me krimin dhe që nuk ndal së vjedhuri në krye të qeverisë. Një i droguar në krye të  bashkisë. Një hajdut në krye të një ministrie. Një shërbëtor bandash në krye të një drejtorie dhe një shërbëtor në krye të organeve të reja të drejtësisë.

Të vetmit që nuk janë skandalizuar nga video e publikuar nga televizioni “Abc News”, me bashkëpunimin e gazetarit Artan Hoxha, janë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës. Ata e dinë se në atë pozicion, fare mirë, mund të ishte filmuar kryeministri i vendit, i cili refuzon në mënyrë të përsëritur testin e drogës.

Kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës duhej të ishte shkarkuar sot nga Edi Rama. Drejtësia duhet të kishte vepruar duke nisur ndaj tij ndjekjen penale për moskallëzim krimi, pasi është faktuar se kryetari i bashkisë bashkëpunon me individë apo grupe që tregtojnë kokainë.

Asnjëra nuk ka ndodhur nga këto të dyja, sepse Edi Rama i Bulqizës ka mbrojtjen e Edi Ramës së Tiranës. Kandidimi në 30 Qershor i individëve me të shkuar kriminale apo personave të lidhur me krimin e organizuar është strategjia e Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin.

Edi Rama i Bulqizës nuk është arrestuar ende, sepse Edi Rama i Tiranës e ka kapur drejtësinë.

Prokurori që duhet të vepronte pret vettingun nga e motra e Belinda Ballukut, pret emërimin nga kunati i Mimi Kodhelit dhe i trembet inspektimit nga vëllai i Eglantina Gjermenit!  Të tre, në pozicionet më të rëndësishme të sistemit, të  emëruar në mënyrë të njëanshme dhe të paligjshme nga Edi Rama i Tiranës.

Kapja e drejtësisë dhe shndërrimi i Partisë Socialiste në një strehë për horrat dhe banditët janë dy prej plagëve më të mëdha që Edi Rama i ka shkaktuar vendit.

Kura e vetme është ndarja e politikës nga krimi! Shqiptarët kanë të drejtë të mos qeverisen nga narkomanë të korruptuar dhe banditë.  Largimi i Edi Ramës së Tiranës, i Edi Ramës së Bulqizës edhe i çdo Edi Rame nga zyrat e shtetit është emergjencë kombëtare!

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!