Strazimiri: Firmat transparente, mund t’i shohë kushdo, verifikimin e bën vetë Kuvendi

schedule14:15 - 11 Nëntor, 2021

schedule 14:15 - 11 Nëntor, 2021

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri deklaroi sot se firmat e mbledhura nga Foltorja e Sali Berishës do të verifikohen në datë 11 dhjetor përmes një komisioni të ngritur nga vetë Kuvendi. Ai u shpreh se firmat janë dërguar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka dhe kushdo që ka kuriozitet t’i shohë ato mund ta bëjë, por verifikimin sipas tij mund ta bëjë vetëm Kuvendi.

“Siç jeni në dijeni shumica absolute e anëtarëve të PD kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Vetë Kuvendi miraton përbërjen e një komision të verifikimit të mandateve. Në asnjë rast edhe në rast se nuk vetëmblidhet. Kuvendi nuk verifikohet nga askush tjetër sepse të gjithë janë vartësit e tij. Kuvendi do të verifikohet përmes një komisioni.

Kemi paraqitur për transparencë numrin e firmave të mbledhura nga delegatët. I kemi dërguar firmat në këshillin kombëtar të personalizuar në emër të Edi Palokës. Kushdo mund të shkojë t’i shohë firmat te Edi Paloka. Cilido në këtë godinë që ka kuriozitet i ka vetëm 20 hapa larg zyrë e Palokës. Verifikimin e bën vetëm vetë kuvendi.

Çdo interpretim tjetër është vetëm efekt paniku dhe herë-herë shkon në retorika që nuk duhet të ndodhin në PD. Nxit ata që deri më sot i kanë dhënë zë të pavërtetave të marrin guximin dhe të shkojnë të zyrat e Palokës. Atje kanë vullnetin e më shumë se gjysmës”, deklaroi ai.

Ndërsa ish-deputeti Flamur Noka theksoi se po vazhdohet të mblidhen firma të tjera dhe se shifra sipas tij do kalojë mbi 5000.

“Peng kryetari ka mësuar një gjë që mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të sulmosh. Nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është pengu që i shërben Edi Ramës prej 8 vitesh. Qeveria nuk ka më 19 ministra, por ka 20, edhe Bashën. Demokratët kanë shprehur vullnetin e tyre. Është një shumicë absolute. Po vazhdon të mblidhen firma të tjera dhe shifra do e kalojë numrin 5000”, tha Noka. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!