Nga Seth Cropsey “National Riview”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Kaosi që ka përfshirë aktualisht Sri Lankën, dhe rritja e çmimeve globale të energjisë, janë rezultat i strategjisë së re të Rusisë në Ukrainë. Përmes shkaktimit të tronditjeve në tregjet ndërkombëtare, Rusia shpreson ta dëmtojë seriozisht Perëndimin, duke e vendosur atë përballë perspektivës së mungesës së energjisë gjatë dimrit që po vjen, dhe nxitjes së krizave në botën në zhvillim.
Perëndimi duhet t’i kundërpërgjigjet kësaj strategjie jo vetëm duke e armatosur Ukrainën, dhe duke ashpërsuar sanksionet. Por ai duhet të çajë bllokadën ruse të Detit të Zi. Strategjia ushtarake e Rusisë në Ukrainë, u duk sikur dështoi në shumë aspekte.
Por objektivi i saj nuk ka qenë ndonjëherë pushtimi i gjithë Ukrainës. 200.000 trupa ishin shumë pak për ta nënshtruar plotësisht vendin më të madh në Evropë pas Rusisë në aspektin e sipërfaqes. Siç është dëshmuar më së miri, shërbimet sekrete ruse, gabuan rëndë në lidhje me vlerësimin e aftësive luftarake dhe vullnetit të Ukrainës për të rezistuar.
Ushtria ukrainase nuk u mposht, dhe Zelensky nuk u arratis jashtë vendit. Por synimin i ofensivës ruse nuk ishte pushtimi konvencional i Ukrainës. Përkundrazi, si synonte të tregonte fuqinë e madhe që supozohej se kishte ushtria ruse, duke e tronditur Perëndimin aq shumë, sa që ky i fundit të përjashtonte mbështetjen ndaj Kievit.
Rusia u përpoq të shfrytëzonte në maksimum dyshimet në rritje të Perëndimit, ndërsa luante me skenarin se sulmi rrufe i Rusisë do të ishte aq i fortë, sa që Ukraina do të pushtohej brenda disa orësh. Edhe ofensiva në Donbas ka të njëjtin qëllim.
Ushtria ruse është dukshëm e paaftë, dhe po përballet me probleme operacionale elementare. Megjithatë, ajo ka një avantazh të jashtëzakonshëm në materiale, një prirje historike për të duruar vuajtjet, dhe një indiferencë mizore ndaj jetës së civilëve apo të ushtarëve të saj.
Prandaj ofensiva e saj e përgjakshme në Donbas, ka krijuar përshtypjen e një avancimi të pashmangshëm të rusëve. Në fakt, Rusia ndodhet në një pozicion ushtarak të pasigurt. Ajo ka fituar pak terren shtesë në lindje, pavarësisht përqendrimit të madh të forcave atje, si dhe humbjeve të mëdha.
Kjo e ka lënë jugun tashmë të pushtuar, shumë të prekshëm ndaj presionit të trupave ukrainase. Nëse Ukraina do të ketë mundësi të kundërsulmojë me sukses në rajonet Kherson apo Zaporizhzhia, do të rrezikohet e gjithë ofensiva ruse.
Kjo e fundit do të detyrohet të zgjedhë midis ruajtjes së arritjeve të saj territoriale në lindje, apo rishpërndarjes së trupave në jug për të lehtësuar presionin, një detyrë që ka të ngjarë të jetë përtej kapacitetit të saj ushtarak. Nga kjo buron edhe strategjia ruse e shkaktimit të një krize ekonomike globale.
Në këtë skenar Rusia ka 3 avantazhe përparësi kryesore. Së pari, presioni inflacionist, ka të ngjarë të jetë i pavarur nga pushtimi rus i Ukrainës. Pas 2 vitesh bllokimesh në Perëndim për shkak të Covid-19, dhe ndërprerjeve globale të zinxhirit të furnizimit, publiku perëndimor do të shtojë natyrshëm kërkesën. Politika e Kinës e “zero raste me Covid”, i ndërlikon më tej problemet me zinxhirin e furnizimeve.
Së dyti, Rusia është një prodhuese kryesore e lëndëve petrokimike, dhe nëpërmjet angazhimit të saj diplomatik dhe ushtarak në Lindjen e Mesme, ka njëfarë kontrolli mbi furnizimin shtesë me naftë. Duke ndërprerë eksportet evropiane të gazit, ajo mund të shtojë presionet inflacioniste, edhe pse ekonomitë evropiane dhe amerikane, po rrëshqasin tashmë në recesion. Inflacioni i kombinuar me papunësinë, është shumë toksik në aspektin ekonomik.
Së treti, Rusia dhe Ukraina janë së bashku vendimtare për furnizimin ushqimor global. Që të dyja prodhojnë gati 70 për qind të vajit të lulediellit, 27 për qind të grurit, 25 për qind të elbit, 18 për qind të misrit, dhe 28 për qind të plehrave kimike. Duke reduktuar eksportet e saj ushqimore dhe duke e bllokuar ato të Ukrainës, Rusia mund të reduktojë ndjeshëm furnizimet globale të ushqimit.
Në Perëndim, kjo i shton më tej presionet inflacioniste. Në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azinë Jugore, mund të rrezikojë stabilitetin politik. Strategjia e Rusisë ka pasur tashmë ndikimin e saj. Presidenti i Sri Lankës u rrëzua kohët e fundit, pasi u përball me një krizë ekonomike.
Ndërprerja e importeve të naftës dhe ushqimit nga Rusia, e thelloi aq shumë krizën saqë shkaktoi zemërim e madh të popullit, që sulmoi dhe shkatërroi pallatin presidencial. Rritja e çmimeve të plehrave kimike, ka pasur efekte në Tajlandë dhe shtete të tjera shumë të varura nga bujqësia.
Ka disa shenja se mungesa e plehrave mund të zbehet, pasi furnitorët po i rishpërndajnë rezervat dhe po e shtojnë prodhimin. Por mungesat globale të ushqimit dhe karburantit do të vazhdojnë. Rritja e ndjeshme në temperaturave në Lindjen e Mesme, dhe një krizë ushqimore dhe energjitike në Afrikë, do të kombinohen me mungesën e ushqimit, për të krijuar një krizë makroekonomike globale.
Rezultatet do të jenë të paparashikueshme. Një valë e re dhune në Afrikën Qendrore apo Veriore, e nxitur nga kushtet e vështira ekonomike, mund të shkaktojë një valë të re emigrantësh, që do të rivërë nën presion sistemet politike evropiane. Ndërkaq një seri situatash të paparashikuara të botës në zhvillim, nuk do të mund të injorohen nga Perëndimi. Por Rusia mund të mos ketë kohë për ta realizuar këtë strategji. Kjo pasi Perëndimi do të ndjejë krizën energjetike vetëm këtë dimër. Edhe në këtë rast, një dimër i butë mund ta bëjë të pavlerë përdorimin e gazit si një armë gjeopolitike nga ana e Moskës.
Ndërkohë, një kundërofensivë e suksesshme ukrainase në jug, do të kërcënojë ta dëmtojë pozicionin aktual të Rusisë, ta zvogëlojë ndikimin e saj mbi Ukrainë, dhe të sabotojë synimet e saj në këtë luftë. Për më tepër, siç e ka pranuar hapur Banka Qendrore, Rusia do të nisë të ndiejë efektin e plotë të sanksioneve perëndimore në vjeshtë dhe dimër, kur të jenë pakësuar ndjeshëm rezervat e saj valutore.
Kur të nisë ky efekt, Moska do të jetë në një pozitë gjithnjë e më të dobët. Leva e vetme e ndikimit rus, mund të jetë ndërprerja e transportit global përmes anijeve. Flota e saj e Detit të Zi, ka pasur shumë anije në rajon për të penguar lëvizjen nga portet rumune dhe bullgare. Edhe grevat e kufizuara, do të rrisin kostot e sigurimit të transportit detar, duke e thelluar krizën globale.
Nga ana tjetër Rusia mund të ketë fat, dhe të nxisë një konflikt të madh përtej Evropës deri nga nëntori apo dhjetori i këtij viti. SHBA-ja duhet të veprojë për ta parandaluar këtë mundësi. Hapi i saj më i arsyeshëm do të ishte heqja e mjetit përfundimtar të presionit të Rusisë, kontrollin e saj në Detin e Zi.
Dhe këtu janë të nevojshme dy hapa. Së pari, një mision ku gruri ukrainas të eksportohet nga anije që mbajnë flamurin e SHBA-së apo vendeve aleate, duke i shoqëruar ato nëpër Mesdheun Lindor, do të lehtësonte ndjeshëm presionin global të ushqimit.
Së dyti, një dislokim i fuqishëm detar në Detin e Zi por edhe në Mesdheun Lindor, do të sfidonte direkt Rusinë, dhe do t’i siguronte SHBA-së fuqinë luftarake të nevojshme për t’u përballur me flotën ruse të Detit të Zi.
E ngujuar në fushën e betejës, Rusia po kërkon që ta transformojë një konflikt tokësor në një konkurrencë për mallra. SHBA-ja dhe një koalicion i forcave detare evropiane, mund të angazhohen duke shfrytëzuar dobësitë detare të Rusisë.
Siç e tregon shpërndarja gjithnjë e më efektive e armëve superiore, administrata e Joe Biden nuk ka më frikë si në fillim për ndihmën që i jep Ukrainës. Teksa po nis periudha e korrjeve, Biden duhet të shfaq të njëjtën vendosmëri për të siguruar qasjen e botës në produktet bujqësore të Ukrainës.
Shënim:Seth Cropsey, themelues dhe president i Yorktoën Institute. Më herët ka qenë zëvendëssekretar i Marinës së SHBA-së.