Shpesh është vënë në dyshim, por gjithmonë është ngritur në këmbë.
Ndoshta duhet të falenderojë babanë e tij, por sidoqoftë, Tomas Strakosha duhet të falenderojë duart dhe reflekset e tij që më në fund është kthyer në një portier vërtet të shkëlqyer.
Pas pritjeve aspak për t’u hedhur poshtë në Itali, dhe pas paraqitjes së madhe në Euro 2024, gardiani I Shqipërisë konfirmoi veten edhe në futbollin grek.
Mediat në vendin tonë fqinj raportojnë se djali I Foto Strakoshës ka një rrogë prej 1.5 milionë eurosh në sezon, dhe se është portieri më i paguar në historinë e futbollit grek.
Të mos harrojmë se në Superligën e këtij shteti kanë luajtur edhe rojtarë të rëndësishëm të portës, përfshi edhe kampionin e Europës, Nikopolidhis, apo Vaclik e Roberto të gjigandit Olimpiakos.
Një bast nga AEK-u, I cili po fitohet.
Kjo sepse Strakosha ka pritur tri penallti këtë sezon, më shumë se kurdoherë në një edicion në karrierë, dhe një më pak sesa Foto, që ka edhe rekordin në Greqi me 14 11-metërsha të pritur gjithsej në karrierë.
Po ashtu, falë edhe heroizmave të numrit 1 të Shqipërisë, klubi athinjot është në vend të parë me 52 pikë, dy më shumë sesa Olimpiakos.
Tek AEK ka shumë pak lojtarë me pagesë më të lartë sesa portieri ynë, të tillë si Joviç apo Lamela me 2.5 milionë euro në sezon, apo Rikardo Pereira me 2 milionë.
Kjo tregon besimin që presidenti Marios Iliopulos dhe drejtuesit e tjerë kanë tek 30-vjeçari, besim që ndoshta mund të shpërblehet me titullin kampion, të dytin në 8 vitet e fundit.


