Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar në lidhje me “dokumentin jozyrtar” lidhur me ndryshimin e kufijve në Ballkan për të cilin pretendohet se kryeministri slloven, Janez Jansha ia ka dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Pas takimit që zhvilloi në selinë e NATO-s në Bruksel me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Stoltenberg tha se i ka parë lajmet lidhur me dokumentin jozyrtar (non paper).
“Nuk mund të komentoj rreth një dokumenti që nuk e kam parë. Spekulimet rreth ndryshimit të kufijve shkaktojnë pasiguri dhe rrezik për stabilitetin e rajonit. Çdo spekulim në lidhje me këtë është i padobishëm. Për NATO-n e rëndësishme është siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e rajonit dhe të Evropës. NATO mbështet stabilitetin e rajonit në mënyra të ndryshme”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ai ka theksuar se NATO do të vazhdojë të punojë për stabilitetin me anëtarët dhe partnerët në rajon. /abcnews.al

