Stoltenberg: Putini u përpoq për një NATO më të dobët, por po përballet më një aleancë më të fortë

schedule09:38 - 12 Korrik, 2023

schedule 09:38 - 12 Korrik, 2023

Udhëheqësit e NATO-s u mblodhën në Vilnius të Lituanisë të martën për një takim dyditor që do të përqendrohet tek mbështetja për Ukrainën. Presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg e cilësuan takimin historik, duke iu referuar tejkalimit të mosmarrëveshjeve me Turqinë për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Në takim priten gjithashtu të miratohen dhe planet e reja mbi mbrojtjen, planet më gjithëpërfshirëse të NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë, që synojnë mbrojtjen kundër çdo sulmi nga Rusia.

Udhëheqësit e NATO-s u mblodhën të martën me një vrull të ri, ndërsa Turqia hoqi dorë nga kundërshtimet e saj lidhur me anëtarësimin e Suedisë në aleancë. Sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, e cilësoi takimin historik.

Dje ramë dakord që Turqia të ratifikojë protokollin e anëtarësimit të Suedisë në mënyrë që ky vend të bëhet anëtar me të drejta të plota i aleancës. Një gjë e tillë dërgon një mesazh të qartë dhe të fortë dhe gjithashtu tregon se agresioni i Presidentit Putin kundër Ukrainës, ishte një gabim i madh strategjik. Ai nënvlerësoi totalisht ukrainasit, nënvlerësoi unitetin e aleatëve të NATO-s, por gjithashtu nënvlerësoi pasojat politike për vende si Suedia dhe Finlanda. Ai shkoi në luftë sepse donte një NATO më të vogël, por po përballet më një NATO më të fortë“, tha ai.

Mes seancave të takimit të nivelit të lartë të aleancës, Sekretari Stoltenberg u takua edhe me Presidentin Joe Biden. Ky i fundit falënderoi zotin Stoltenberg për udhëheqjen e aleancës në një moment historik.

Është vërtet e rëndësishme në këtë moment kritik në Ukrainë, që ju të vazhdoni të udhëhiqni NATO-n. Ne kemi besim tek ju. Askush nuk e njeh situatën me të cilën po përballemi më mirë se ju dhe ky moment historik, duke shtuar Finlandën dhe Suedinë në NATO, është rrjedhojë e rolit tuaj udhëheqës”, tha ai.

Me agresionit rus dhe frikës për përhapje të konfliktit të perëdim, NATO ka rënë dakord që zoti Stoltenberg, mandati i të cilit duhej të përfundonte në shtator të këtij viti, të qëndrojë edhe një vit në detyrë.

Një nga çështjet kyçe të takimit dyditor, ishte dhe ajo mbi anëtarësimin e Ukrainës në NATO-s. Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e mire e vendeve aleate hezitojnë për një anëtarësim të shpejtë të Kievit, pasi druhen për një përfshirje të NATO-s në luftë kundër Rusisë.

Anëtarësimi i këtij vendi ndërsa lufta vazhdon, do të detyronte NATO-n të zbatonte nenin 5 të traktatit të saj, që mbështet parimin se “një sulm ndaj një vendi është një sulm ndaj të gjithëve”. NATO pritet të miratojë dhe planet e reja të mbrojtjes, në rast se Presidenti rus Vladimir Putin përpiqet të zgjerojë luftën përtej Ukrainës, në territorin e vendeve aleate.

Po kështu do të diskutohet edhe mbi të tjera çështje të rëndësishme, mes së cilave përmbushja e një angazhimi për të shpenzuar të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Aktualisht, vetëm shtatë vende anëtare e përmbushin këtë objektiv./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!