Stoltenberg: Ka ardhur koha që Turqia ta aprovojë anëtarësimin e Suedisë në NATO

schedule16:33 - 1 Dhjetor, 2023

schedule 16:33 - 1 Dhjetor, 2023

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të premten se i ka thënë presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, se ka ardhur koha që ajo ta lejojë Suedinë të bëhet anëtare e aleancës ushtarake.

Turqia dhe Hungaria janë vendet e vetme të NATO-s që nuk e kanë aprovuar ende formalisht anëtarësimin e Suedisë në aleancë, shkruan REL.

Stoltenberg tha për Associated Press se i bëri thirrje Turqisë ta finalizojë procesin gjatë një takimi me presidentin Erdogan të premten në margjinat e samitit të klimës në Dubai.

“E takova presidentin Erdogan mëngjesin e sotëm dhe ia përsërita mesazhin se ka ardhur koha për ta finalizuar procesin e pranimit për Suedinë”, tha Stoltenberg.

Turqia e ka vonuar ratifikimin për më shumë se një vit, duke e akuzuar Suedinë se nuk po i merr seriozisht shqetësimet e Turqisë, përfshirë luftën e saj kundër militantëve kurdë dhe grupeve të tjera të cilat Ankaraja i vlerëson si kërcënim për sigurinë e vet.