Deputeti Edmond Stojku në një deklaratë për mediat u shpreh se mbledhja e opozitës parlamentare me kryeministrin Edi Rama u zhvillua në formën e një analize.
Ai theksoi se i kanë paraqitur kërkesat e tyre me të cilat synojnë të zhdukin zgjedhjet fantazmë.
“Dua të shtoj se ky takim i sotëm ishte më shumë një analizë. U fol shumë për një marrëveshje, që ka ardhur dhe e kemi pranuar në tavolinën tonë, sepse ne jemi aktorët realë të miratimit real të kësaj marrëveshje.
Por nuk e kuptoj se përse i bëjnë si miza në dhallë këta individë të pushtetshëm që kanë gjithçka në dorë dhe nuk bëhet në marrëveshje me aktorët realë. Pse nuk i marrin parasysh kërkesat tona?
Sepse tre pikat tona i ftojnë shqiptarët për zgjedhje dhe jo për zgjidhje. Përfundimisht ne me tre kërkesat tona, duam të zhdukim zgjedhjet fantazmë, politikën fantazmë”, tha ai.
Gazetarja e “ABC News” Esiona Ikonomi: Pse mendimi juaj është më i rëndësishëm se i zonjës Kryemadhi, e cila është kundër listave të hapura dhe është po ai personi që ju solli këtu?
Stojku: Në të gjitha sondazhet e kryera, rezultati i dëshirës së publikut për listat e hapura është rreth 77 %. Kjo është kërkesë e publikut shqiptar. Duhet të bëjmë detyrën që publiku na ngarkon.