“Stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën janë provokim dhe përpjekje për të cënuar integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.”
Kështu i ka përshkruar lëvizjet e fundit të Beogradit Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke deklaruar se institucionet e sigurisë janë të përgatitura ndërsa kufiri i Kosovës është i mbrojtur në bashkëpunim me partnerët.
“Bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq, në bazat e stërvitjes për vrasjen e policit të Kosovës, heroit Afrim Bunjaku. Por në të njëjtën kohë tregon edhe pafuqinë e tyre. Sepse në Kosovë më nuk ka struktura ilegale të cilat mund ta cenojnë stabilitetin institucional, integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, paqen dhe sigurinë për të gjithë. Nga kjo pafuqi e tyre që të bëjnë diçka brenda Kosovës tash kanë shkuar aty rrotull kufirit edhe përpiqen që të demonstrojnë forcën.”
Kurti njoftoi publikisht se për këtë çështje janë njoftuar edhe ndërkombëtarët.
“Është provokim, ne për këtë u kemi shkruar faktorëve ndërkombëtarë. Por forcat tona janë të përgatitura, kufiri ynë është i mbrojtur, dhe këtë e bëjmë me forcën e sigurisë së Kosovës, me policinë e Kosovës, me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në veçanti me KFOR-in.”
Ishte Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni që tha se pasditen e të mërkurës ka patur stërvitje ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të Gjilanit, duke i cilësuar ato shqetësuese dhe provokuese për qytetarët.
Ndërkaq po të mërkurën, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, i ka quajtur të papranueshme stërvitjet ushtarake të Serbisë në territorin e Komunës së Bujanocit.


