Një stërvitje ushtarake ruse është zhvendosur më larg nga bregdeti irlandez, pas presionit të politikanëve dhe peshkatarëve. Ajo është zhvendosur jashtë Zonës Ekonomike Ekskluzive të Republikës së Irlandës. Stërvitja me “zjarr të drejtpërdrejtë” do të zhvillohej 240 km larg bregut jugperëndimor.
Ministri irlandez i Punëve të Jashtme Simon Coveney tha se stërvitjet do të “zhvendosen jashtë Zonës Ekonomike Ekskluzive të Republikës së Irlandës”. Zoti Coveney kishte thënë më parë se Irlanda nuk do të mirëpriste stërvitjet që po kryheshin në Zonën Ekonomike Ekskluzive të Republikës së Irlandës, por pretendoi se vendi nuk kishte fuqi për të ndaluar Rusinë.
Vendimi për zhvendosjen e stërvitjes ishte marrë si një “gjest i vullnetit të mire”, tha të shtunën ambasadori rus në Irlandë, Yuri Filatov. Zoti Filaov tha se vendimi ishte marrë për të mos “penguar aktivitetet e peshkimit nga anijet irlandeze në zonat tradicionale të peshkimit”. Një grup peshkatarësh që përdorin zonën kishin paralajmëruar gjithashtu se do të organizonin protesta paqësore kundër aksionit nëse do të vazhdonte siç ishte planifikuar fillimisht raporton “BBC”.
Organizata Irlandeze e Prodhuesve të Peshkut të Jugut dhe Perëndimit kishte theksuar rëndësinë e zonës për anëtarët. Ata thanë se dëshira e tyre ishte të mbronin biodiversitetin dhe jetën detare. Ministri i Shtetit Michael Noonan kishte paralajmëruar gjithashtu se stërvitjet e planifikuara mund të kenë gjithashtu pasoja “shkatërruese” për një numër speciesh në zonë, duke përfshirë disa lloje balenash.
Zoti Filatov e përshkroi më parë polemikën si “të tejmbushur”. Në një konferencë shtypi në Dublin të hënën ai iu referua debatit si një “jo-histori” që ishte bërë pjesë e një “fushate propagandistike” rreth një kërcënimi të supozuar rus për Evropën. Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes së Oireachtas tha se shpresonte se zoti Filatov do të shfaqej për t’iu përgjigjur pyetjeve të komitetit.
Ndërsa deklaroi se asnjë ambasador nuk ishte përgjegjës para parlamentit irlandez, ai tha se kishte “çështje të rëndësishme me interes publik” për të cilat komiteti duhet të informohet.
/ abcnews.al