Stërvitja e Kombëtares, Roshi vazhdon i veçuar, Kastrati merr leje për disa orë

schedule11:25 - 30 Maj, 2022

schedule 11:25 - 30 Maj, 2022

Kombëtarja shqiptare e futbollit ndodhet në ditën e katërt të stërvitjes, ndërsa është grumbulluar për ndeshjet e Nations League ndaj Islandës në transfertë, Izraelit në shtëpi dhe miqësoren me Estoninë.

Armando Broja ende nuk është bashkuar në grumbullimin e “kuqezinjve”, ndërsa pritet që t’i bashkohet grupit në ndeshjet ndaj Izraelit dhe Estonisë, pasi thuhet se është i infektuar me Covid-19.

Sipas “Super Sport”, në stërvitjen e kësaj të hëne mungon Elhan Kastrati, i cili për çështje proceduriale për pasaportën ka udhëtuar drejt Italisë. Vendin e Kastratit në stërvitje e ka zënë portieri Angelo Tafas, i cili është pjesë e kombëtares U-21, por këto ditë është stërvitur me përfaqësuesen e parë.

Ndërkohë, Giacomo Vrioni pritet që t’i bashkohet skuadrës “kuqezi” ditën e nesërme, ndërsa duhet theksuar se ai ka fituar “Këpucën e Artë” në kampionatin austriak, ku ka shënuar 19 gola për ekipin e ËSG Tirol.

Odise Roshi është stërvitur në mënyrë individuale për shkak të disa probleme fizike, megjithatë gjasat janë që ai të jetë i gatshëm për përballjen me Islandën. Ndërkohë nesër do të luhet një test miqësor brenda grupit në “Niko Dovana”.

Skuadra do të stërvitet deri më 3 qershor, pasi më pas do të niset për në Island, ku do të luajë ndeshjen e parë, për Nations League. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!