Steinmeier përkujton viktimat e getos së Varshavës

schedule13:12 - 19 Prill, 2023

schedule 13:12 - 19 Prill, 2023

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier përkujton së bashku me presidentin izraelit, Isaac Herzog dhe atë polak Andrzej Duda 80-vjetorin e kryengritjes së getos së Varshavës.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier së bashku me presidentin izraelit, Isaac Herzog dhe atë polak, Andrzej Duda marrin pjesë të mërkurën në një ceremoni përkujtimore për viktimat e kryengritjes në geton e Varshavës para monumentit të heronjve të getos së Varshavës. Presidenti gjerman mban për herë të parë një fjalim para monumentit në Varshavë si i ftuar i lartë gjerman. “Jam këtu sot para jush dhe ju lutem për falje për krimet që gjermanët kanë bërë këtu”, theksohej në manuskriptin e e fjalimit të publikuar paraprakisht. Gjermanët i përndoqën, i skllavëruan, i vranë gratë dhe burrat hebrenj të Europës si dhe gratë e burrat hebrenj të Varshavës, për këtë na mungojnë fjalët, thuhet më tej.

Monumenti i getos së Varshavës ka një simbolikë të rëndësishme në marrëdhëniet gjermano-polake që nga rënia në gjunjë e kancelarit të atëhershëm gjerman, Willy Brandt para monumentit në dhjetor 1970. Steinmeier para ceremonisë është takuar me të mbijetuar të Holokaustit. Steinmeier ka zhvilluar bisedime edhe me presidentin polak, Duda, ku në fokus ka qenë lufta në Ukrainë.

Në geton e Varshavës u mbajtën në kushte çnjerëzore rreth 450.000 hebrenj nga nacionalsocialistët. Dhjetëra mijëra vetë vdiqën nga uria e sëmundjet. Kryengrija filloi më 19 prill 1943, kur nazistët donin të deportonin banorët e fundit të zonës së rrethuar të qytetit për t’i çuar në kampin e shfarosjes, Treblinka. Me kryengritjen në geton e Varshavës banorët hebrenj ushtruan rezistencë kundër pushtuesve gjermanë. Katër javë ata arritën të bëjnë rezistencë, derisa nacionalsocialistët e shkatërruan plotësisht geton. 56.000 hebrenj u vranë në këtë kryengritje hebreje./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!