Statujë, fanellë me dedikim dhe mozaik: Argjentina përkujton Diego Maradonën

schedule12:59 - 4 Qershor, 2021

schedule 12:59 - 4 Qershor, 2021

Argjentina luajti në orët e para të mëngjesit të sotëm kundër Kilit, duel i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit Katar 2022. Kjo ishte ndeshja e parë që dy herë kampionët e botës zhvillonin pas vdekjes së Diego Armando Maradonës.

“El Diez”, për shumëkënd më i madhi i historisë së futbollit, u nda nga jeta 25 nëntorin e vitit të kaluar. Një humbje e madhe që përloti miliona tifozë të lojës më të bukur në planet. Argjentina e nderoi siç duhet përpara sfidës me Kilin.

 

Statuja e Diegos

Një statujë prej bronzi 5 metra e lartë në nder të Maradonës, u zbulua jashtë stadiumit “Estadio Unico” në Santiago del Estero. Lojtarët e Argjentinës zbritën në fushë me fanella ku dallohej ish-ylli botëror.

Në kraharor një foto e Maradonës dhe poshtë vetëm viti i lindjes, pasi legjendat nuk vdesin kurrë. Ndërkohë, në hyrjen e hotelit ku është akomoduar kombëtarja albiceleste janë vendosur dy mozaikë të Diegos dhe Leo Messit. Ky i fundit, shënoi edhe golin e parë të ndeshjes, që përfundoi 1-1.

 

Mozaikët e Messit dhe Maradonës

Ishte mesi i pjesës së parë kur “pleshti” ktheu në gol një penallti, por skuadra mike ia doli të gjejë golin e barazimit 13 minuta më vonë. Autori Alexis Sanchez, sulmuesi i Interit. Takimi nuk prodhoi më gola dhe dy ekipet ndanë nga një pikë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!