Statuja ‘tepër provokuese’ e sirenës shkakton polemika në Itali

schedule08:47 - 29 Prill, 2023

schedule 08:47 - 29 Prill, 2023

Statuja e një sirene që po vendoset nga autoritetet në një fshat peshkatarësh në rajonin juglindor italian Puglia, ka shkaktuar polemika në komunitet duke u etiketuar “tepër provokative”.

Zyrtarët thonë se statuja është krijuar nga një prej studentëve të shkollës së artit Luigi Rosso në Monopoli, para se të vendosej në sheshin e titulluar sipas shkencëtares Rita Levi-Montalcini.

Vepra që ende nuk është inauguruar, është bërë objekt talljesh e kritikash të ashpra online.

Aktorja nga Bari, Tiziana Schiavarelli shkruante në Facebook se miqtë e saj në Monopoli “me të drejtë kishin shprehur rezervat e tyre për këtë ‘monument’”.

“Duket si një sirenë me dy gjinj silikoni dhe të pasme të mëdha që nuk më shkonte mendja të shikoja ndonjëherë në një sirenë”, komentonte Schiavarelli.

Adolfo Marciano, kreu i shkollës së artit Luigi Rosso mbronte statujën duke thënë se është një “homazh ndaj shumicës së grave që sot janë me tipare të mbushura”.

Marciano tha se nuk donte të gjykonte frymëzimin e studentëve për krijimin “por e pranonte si realitet”. Beppe, banor i Monopoli, tha se skulptura ka shkaktuar shumë pakënaqësi dhe njerëzit e kritikojnë si “tepër provokative”.

“Është për të ardhur keq që studentët e artit në vend që të lavdërohen marrin me të drejtë kritika”, tha ai.

/abcnews.al