Ëndrra e Kosovës për t’u kualifikuar në Euro 2021 mori fund në Shkup. Maqedonia e Veriut fitoi 2-1 dhe do të përballet me Gjeorgjinë në Tbilis për një biletë për në kompeticionin evropian.
Sulejman Starova, i përhershëm në emisionin “Pressing” në ABC News, analizon disfatën e dardanëve, duke theksuar se, pavarësisht mungesave, ekipi i Challandes zhvilloi një takim shumë të dobët.
“Pritshmëritë ishin më të mëdha. Moment delikat, që mund ta çonte Kosovën lart, por nuk kishim fatin të kishim formacionin më të mirë. Na ka zhgënjyer kjo ndeshje, nuk e kam parë asnjëherë më dobët se këtë radhë Kosovën.
Rashica dhe Muriqi janë lojtarë që bëjnë diferencën, kjo nuk diskutohet. Edhe ata që i zëvendësuan nuk ishin mirë, Nuhiu ishte në hije. Erdhi një moment i mirë për futbollin kosovar dhe atë shqiptar.
Ajo që nuk na pëlqeu ishte loja, sikur ishin pajtuar me rezultatin 2-1. Përpjekje të vakëta për të tentuar barazimin. Kosova ka guxuar me kombëtare të mëdha, ka sulmuar me shumë lojtarë, por sot ishte një Kosovë tjetër“, deklaron Starova. /abcnews.al