Tiranë- Kryeministri britanik Keir Starmer, gjatë një konference për shtyp me homologun shqiptar Edi Rama, theksoi se mes dy vendeve ka një bashkëpunim të mirë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjithashtu në këtë konferencë u pyet edhe lidhur me situatën e luftës në Ukrainë dhe ecurinë e bisedimeve të paqes.
Starmer bëri përgjegjës presidentin rus Vladimir Putin si shkaktarin kryesor që po vonon arritjen e paqes mes vendeve në konflikt. Po ashtu theksoi se presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky nga ana e tij, ka qenë i qartë dhe për armëpushimin.
“Është Putini që po tërheq gjërat zvarrë dhe po shkakton vonesa për armëpushim. Duhet të sigurohemi që te kemi më shumë sanksione”, tha ai, duke shtuar: “Ukraina ka qenë e qartë prej muajsh se mund të ketë armëpushim 30 ditor pa kushte dhe Putin po pengon paqen. Ka qenë agresori, Rusia e nisi konfliktin dhe ky vend tashmë po pengon paqen. Patëm takim të mirë të shtunën e kaluar në Kiev ku arritëm të mblidhnim grup të gjerë vendesh për një qëndrim për armëpushim me sanksione. Për mua është provë e argumentit që e kam thënë, se Putin është ai që po i tërheq gjërat zvarrë prandaj kombet duhet të radhiten si aleate që të kemi armëpushim dhe sanksione të miratuara në momentin që Putin vazhdon në këtë rrugë”.
/abcnews.al/

