Stano: BE pret bashkëpunim me Milatoviçin, Mali i Zi të fokusohet në sundimin e ligjit

schedule16:41 - 3 Prill, 2023

schedule 16:41 - 3 Prill, 2023

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano deklaroi se Bashkimi Evropian pret bashkëpunim me presidentin e sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç si dhe me aktorë të tjerë politikë në vend.

“Ne presim me padurim bashkëpunimin me presidentin e ri dhe të gjithë shtetarët përkatës në Mal të Zi për ta ndihmuar atë të qëndrojë në rrugën drejt BE-së, të krijojë një konsensus mbi prioritetet kryesore që duhet të përmbushen gjatë procesit të integrimit evropian”, theksoi ai, shkruan Vijesti.

Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Stano tha se është shumë e rëndësishme që Mali i Zi të fokusohet në të gjitha problemet dhe çështjet e sundimit të ligjit, reformat në fushën e sundimit të ligjit, në mënyrën e përcaktuar nga Komisioni Evropian.

“Sigurisht, BE-ja është e gatshme të mbështesë Malin e Zi dhe të vazhdojë të ndihmojë Malin e Zi të shkojë drejt anëtarësimit në BE, sepse kjo është diçka që shumica dërrmuese e njerëzve në vend dëshiron. Dhe në këtë kontekst, stabiliteti politik në vend është çelësi për vazhdimin e udhëtim drejt Bashkimit”, nënvizoi ai.

Të dielën, në Mal të Zi u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Milatoviç, i cili mori më shumë se 60 për qind të votave, u zgjodh president i ri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!