Partizani i rikthehet një teme të vjetër, por me një gjuhë aspak të përshtatshme. Sekretari i Përgjithshëm i klubit të kuq, Gerald Buba, na kujton deklaratën e Ardian Memës një sezon më parë, që thoshte “Le të luajë futboll provinca”. Pak kohë më parë pati edhe një tjetër deklaratë të këtij tipi edhe nga presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, sipas të cilit jugun po e zhdukin nga futbolli.
Një gjuhë e papërshtatshme për botën e sportit, e dënueshme po aq sa postimet Aristoteles Romero në rrjetet sociale. Në klubin e kuq, pas kaq kohësh kujtohen dhe reagojnë për stadiumin e Kukësit, që është një investim i FSHF dhe qeverisë, që drejtohet nga Edi Rama, vëllai i drejtorit të Përgjithshëm të Partizanit.
Së fundmi UEFA miratoi fondin prej 4.3 milion eurosh, që FSHF dhe çdo Federatë mund ta përdorë në varësi të nevojave që do të ketë në këtë periudhë krize prej pandemisë së COVID-19. Sipas “Panorama Sport”, pjesa më e madhe e këtij fondi, 3.2 milion euro, shkon për stadiumin e Kukësit, ku punimet kanë nisur prej kohësh.
Gazeta në fjalë ka marrë edhe një reagimin nga klubi i Partizanit dhe pyetja ka qenë nëse është normale që jepen 3.2 milion euro për Kukësin dhe Partizani nuk përmendet fare. Sekretari i Përgjithshëm Burba e ka lëshuar veten në përgjigjen e dhënë dhe ndoshta do të duhet të mos krenohet në vazhdim se Partizani ka tifozë kudo, madje më shumë në provinca se në kryeqytet.
“A është normale që të akordohen kaq shume fonde për një stadium në Kukës dhe të mos jepet asnjë lek për një klub që ka bërë historinë e futbollit shqiptar, patjetër që nuk është”, thotë Burba, i cili nuk ndalet me kaq.
“Ose a është normale që disa klube, kryesisht provincash, që historinë e tyre e kanë bërë vetëm këto 5-10 vitet e fundit, të trajtohen në mënyrë preferenciale dhe ato që kanë histori, traditë e tifozë më të shumtë në vend, jo vetëm të mos ndihmohen, por dhe shpesh të rëndohen përmes formave të ndryshme, sigurisht që nuk është normale”, ka deklaruar Burba. /abcnews.al