Stabiliteti social – politik kthehet vetëm pasi të krijohet një kontratë e re sociale

schedule14:28 - 29 Gusht, 2022

schedule 14:28 - 29 Gusht, 2022

Nga Eduart Gjokutaj

Kontrata sociale, si një marrëveshje formale/informale midis grupeve sociale dhe klasës drejtuese të vendit (publike dhe private) është vazhdimisht dhe ashtu pa u ndjerë në testim nga palët pjesëmarrëse. Nisur nga rezultatet që vijnë nga këto testime ka rezultuar se disa herë është bazuar te drejtësia dhe në më të shumtën e herëve nga padrejtësia. Ky perceptim është bazuar te vlerësimi i ndershmërisë së sistemit dhe te reagimi prej klasës drejtuese në zbatimin e drejtësisë sociale dhe ekonomike.

Qytetarëve në shoqërinë tonë ka shumë kohë që u kërkohet të pranojnë rriskun e të jetuarit në një shoqëri ku nuk e dinë paraprakisht vendin dhe rolin që do të mbajnë nëse respektohet kontrata sociale “e nënshkruar” pas viteve ’90.

Por, çfarë kanë të qartë shumica e qytetarëve është realiteti se në momente të caktuara shoqëria shqiptare ka dështuar të përshtatë ndryshimet themelore në ambjentin e saj dhe prej këtyre momenteve normat sociale dhe ekonomike kanë munguar ose nuk janë efektive.

Kështu, p.sh. nuk ka asnjë arsye për të besuar që shteti social nuk mundet të ishte më i prekshëm në fonde më të mëdha për pensionet dhe mbështetjen sociale, shëndetësinë dhe edukimin. Logjika ekonomike konfirmon se me rritjen e produktivitetit bazuar te politika antitrust është e mundur për tu gjeneruar të ardhura më të larta tatimore për buxhetin  dhe për të ndërtuar një fond më të fortë për sigurinë sociale. Në fakt, gjithë qeveritë nuk kanë patur asnjë qasje të fortë drejt produktivitetit dhe konkurueshmërisë së ekonomisë dhe ky konsiderohet dështim i normave ekonomike dhe sociale.

Kontrata sociale e zbatuar në këtë mënyrë ka ndikuar në periudha të gjata të destabilitetit social dhe ekonomik. Efektin e ndjejmë të shfaqur në sjelljen e politikës dhe klasave sociale që shpesh kanë devijuar nga normat. Por këtë kontratë sociale së fundmi e kërkon vetë koha për ndryshime të thella për të përshtatur strukturën politike dhe ekonomike.

Është pikërisht mungesa e një kontrate të re sociale edhe shfaqja e siptomave të një shoqërie të ashpërsuar ku tendenca autoritarizmi janë të paafta të ndryshojnë rrugëtimin drejt një realiteti të ri social dhe ekonomik.

Rindërtimi i një kontrate të re sociale, që duhet të zëvendësojë kontratën sociale të skaduar duhet të synojë të bazohet te (a) krijimi i një realiteti social-ekonomik me të drejta të pacënueshme, (b) gjenerimin e proceseve dhe strukturave politike të reja, si dhe (c) lirimin e hapësirës politike për prezantime të grupeve që ende ndihen të papërfaqësuar në frymën e ndryshimeve të realitetit të ri social-ekonomik në vend.

Sistemi shqiptar, i cili klasifikohet si një sistem i ngurtë deri më tani duket se mban brenda vetes doza të larta të “infeksioneve” sociale dhe ekonomike nuk lejon që të ketë një ekuilibër të ri social dhe ekonomik, të bazuar te qëndrueshmëria dhe te moskrijimi i trazirave të reja sociale. Nga gjithë analizat e kryera mendohet, se për shumë arsye që mbajnë këtë status quo aktuale nuk ka shanse të mëdha për një ekuilibër të ri pa mos u ndryshuar së pari institucionet dhe normat egzistuese. Ndryshimet që do të synojnë çngurtësimin e sistemit duhet të sjellin gjithshka ndryshe duke filluar nga mënyra se si qytetarët do të jetojnë, si ata do ti kenë shanset për të rritur të ardhurat e tyre, por dhe si do të komunikojnë dhe socializohen me ambjentin e ri social dhe ekonomik.

Ndryshimi radikal për zgjerimin e shanseve për punësim të denjë për klasën punëtore dhe të mesme mund të sjellë në skenën politike premisat për krijimin e një shteti social. Këto ndryshime që janë të natyrës kushtetuese do të nxitin pikërisht procese të reja politike, një model taksimi të ndershëm dhe efektiv, si dhe shumë procese të tjera.

Por, një fokus specifik nevojitet për ndryshimet që duhet të kryhen për klasën e mesme.

Edhe pse Shqipëria ka shfaqur tregues të një rritje ekonomike, paçka se nën kapacitetet reale gjeneruese shihet se rritja ekonomike nuk ka ndikuar të rritë dhe fuqizojë klasën e mesme. Madje, klasa e mesme ka kaluar një proces qëndrimi në të njëjtat pozita ekonomike dhe sociale për të mos thënë se në disa periudha ka patur edhe rënie dhe dobësim të pozitave të saj sociale.

Arsyeja madhore e këtij stanjacioni ekonomik dhe social të klasës së mesme është orientimi i politikës së amortizuar në këto tri dekada si pasojë e kapjes së shtetit nga një grup i vogël individësh me pushtet politik dhe ekonomik.

Nivelet e larta të të ardhurave në disa nga drejtuesit e kompanive publike dhe private, si dhe shpërndarja e pagave sipas pozicioneve të punës në sektorin privat dhe publik shfaq me seriozitetin më të madh se pabarazia e mirëqenies është rritur në përmasa të mëdha duke sjellë si pasojë edhe rritjen e agresivitetit të shndërruar në patologji sociale midis klasave sociale në vend.

Kjo situatë e diferencave të mëdha në nivelin e mirëqenies fsheh në vetvete pasiguri më të madhe dhe shenjat e një sëmundje sociale, e cila në Shqipëri mund të shndërrohet në një pandemi dhune dhe trazirash të nxitura nga elementë të brendshëm dhe të jashtëm. Rastet e rritura të dhunës brenda familjes, dhunës brenda grupeve të njëjta sociale, si dhe rritja e përdorimit të lëndëve narkotike bashkë me rritjen e shenjave për ekstremizëm të dhunës  është shenja e dukshme e prejardhur prej rënies së nivelit të jetesës dhe mirëqenies së ekonomisë dhe rritjes së sëmundjeve sociale që shfaqen si fenomene të reja në shoqërinë shqiptare.

Frika për vendin e punës për të ardhmen, pamundësia për të ndërtuar një familje të re, për të blerë një shtëpi të re apo edhe perceptimi i përgjithësuar se ambjenti ekonomik është duke u përkeqësuar janë të gjitha shumë të lidhura me disa realitete të prekshme nga vetë qytetarët, por më së shumti janë të lidhura nga mbështetja që marrin nga partitë/lëvizjet populiste, që gjejnë ambjent për të shfrytëzuar situatën e vështirë ekonomike dhe sociale.

Nga gjithë kjo qasje që tashmë ka disa vite që është më agresive duket se klasa e mesme është duke u pakësuar gjithnjë e më shumë. Edhe pse nxitja nga globalizimi dhe vlera e lartë e pagave në vendet e Europës Perëndimore apo gjetkë janë joshja më e madhe për klasën e mesme, një politikë konkuruese me këtë sfidë duhej të përcillej nga udhëheqës të përgjegjshëm për të krijuar aftësimin me teknologjinë duke aftësuar një klasë të mesme më të pavarur ekonomikisht.

Nisur nga kjo qasje konkuruese me ofertat e tregut të punës (formal dhe informal) jashtë Shqipërisë do të ishte planifikuar me kohë investimi dhe nxitja e teknologjisë për tu përdorur jo vetëm nga sektori publik, por më së shumti nga sektori privat. Kjo qasje e munguar në vizion, por edhe në zbatim do të bënte të mundur që aftësimi i të rinjve dhe punonjësve me teknologjinë të zëvendësonte disa kategori punësh me punë të reja bazuar te automatizimi prej hyrjes së teknologjisë. Hyrja e teknologjisë dhe aftësimi i profesioneve bazuar mbi këto kërkesa të tregut global do të shërbente për një zvogëlim të erozionit të klasës së mesme.

Një aftësim teknologjik do të shkëpuste edhe vetë ekonominë nga një grup punësh që nuk kërkojnë specializim të nivelit të lartë dhe që paguhen lirë drejt punëve me nivel më të lartë aftësish dhe që do të krijonin edhe një klasë të mesme më të fuqizuar në vlerësimin e vlerës së punës së tyre.

Në një periudhë të ardhme, shndërrimi i ekonomisë në një konsumuese dhe eksportuese të punës së bazuar te teknologjia do të luajë rol të konsiderueshëm në rishpërndarjen e strukturimit të pagave duke ndryshuar radikalisht edhe ambjentin e biznesit dhe gjenerimit të një mirëqenie sociale.

Kështu, bizneset që mund të zotërojnë dhe përpunojnë informacionin e plotë për proceset e tyre, për kërkesat e klientëve dhe mundësitë e furnitorëve janë të afta që të rritin produktivitetin dhe kjo rrit nivelin e konkurueshmërisë së tyre në treg. Pjesën tjetër të punës e bën vetë tregu dhe çdonjërin e mëson vetë puna që bën.

Një zhvillim i tillë i bizneseve do të rriste dinamizmin e tyre (jetëgjatësinë nëpërmjet rritjes së konkurueshmërisë) duke forcuar rolin dhe pjesën në rritje në tregun ku operojnë dhe duke përforcuar pozitat e tyre nëpërmjet përdorimit të digjitalizimit.

Në realitet, ekonomia shqiptare ka përdorur mbështetjen e politikës së korruptuar për tu rritur dhe fuqizuar, pa kaluar nëpërmjet forcimit dhe rritjes së produktivitetit, që ka ndikuar në vlerën e ulët të tyre në treg dhe të mosqenit konkuruese jashtë Shqipërisë.

Tendenca për të përqëndruar kapital dhe për të mos mbështetur fuqizimin e buxhetit nëpërmjet formalizimit të biznesit ka reduktuar numrin e kompanive, të cilat mund të ndërtonin një strategji të sofistikuar në përdorimin e burimeve të brendshme dhe të aftësimit të punonjësve nëpërmjet investimit në teknologji.

Nga ana tjetër, tendenca për të raportuar të ardhura dhe shpenzime fiktive ka zvogëluar aftësinë e tyre taksapaguese duke ulur ofertën për tregun e punës bazuar te cilësia dhe vlera e lartë e fuqisë punëtore.

E gjithë situata ka degraduar tregun e punës në një treg me aftësi të pamjaftueshme për të rritur produktivitetin e bizneseve ku operojnë, por edhe duke ulur mundësitë për të mbajtur një nivel fuqie punëtore gjysëm të aftë dhe të mirëpaguar për të qëndruar e lidhur me të ardhmen e kompanisë së tyre.

Të gjitha sa më lart janë shenjat e një kontrate sociale të pazbatuar dhe që nuk është zëvendësuar nga një kontratë e re sociale. Rritja e kostove për hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe për aftësim dhe siguri për vendin e punës kanë komplikuar së tepërmi hapësirat për politika të reja, pasi së pari duhet të sistemohen elementët e kontratës sociale të kaluar.

Mirëpo, prej pak kohësh edhe në Shqipëri jetojmë në një periudhë që është mbërthyer nga rritja e populizmit. Në një shikim më të fokusuar rritja e retorikës populiste dhe politike është mbizotëruese mbi çdo retorikë tjetër shqetësuese, që duhet të përfshijë ekonominë e sotme dhe të ardhme, punësimin, problemet e shëndetit dhe rritjes së mirëqenies etj. Nga ana tjetër, duket se populizmi i praktikuar nga partitë politike dhe udhëheqësit e tyre në Shqipëri është më shumë një taktikë, në vend të ideologjisë.

Pra, nuk është e rëndësishme se kujt krahu ideologjik i përket udhëheqësi i partisë, pasi secili shprehet në favor të zhbërjes së disa normave që qytetarët nuk i pëlqejnë dhe natyrshëm që shfaqen në favor të vlerave liberale.

Në realitet, ideologjitë që janë bërthamat e orientimit politik të secilës parti kryesore nuk i ka të përfaqësuara në programet e veta gjithë shfaqjet populiste të udhëheqësve politikë. Duket se populizmi për të dominuar systemin është mbi ideologjinë dhe normat morale.

Por, në të vërtetë udhëheqësit politikë kanë kaluar në një rrugëtim për të ndryshuar vetveten, por jo ambjentin social dhe ekonomik. Dy nga ndryshimet që ata kanë arritur janë (a) thellimi i ndërvarësisë së tyre dhe (b) paaftësia për të përballur dhe zgjidhur problemet komplekse që kanë gjetur kur kanë drejtuar vendin.

Ndryshimi parë do të kishte vlerë nëse pushtetin e tyre do ta sakrifikonin për një ambjent demokratik, ekonomik dhe social më të avancuar se paraardhësi. Ndërsa ndryshimi i dytë do të vlente nëse do të kishin ndërtuar një grup institucionesh kombëtare të bazuar te meritokracia, shkëputja nga patronazhi politik dhe forcimi i kapaciteteve të tyre me ekspertë që dinë të bëjnë dhe mbajnë shtetin të fortë për zgjidhjen e sfidave të trashëguara dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja për të përballur sfidat e ardhme. /Altax.al