Spiunë rusë në Gramsh? Peleshi: Po mendojmë të rivendosim në funksion uzinat e armëve

schedule11:10 - 21 Gusht, 2022

schedule 11:10 - 21 Gusht, 2022

Një ditë pas incidentit në uzinën e armëve në Gramsh, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka thënë se qeveria po mendon për rivendosjen në funksion të uzinave të armëve  në vendin tonë.

Në një deklaratë për mediet Peleshi ka ka thënë se pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë është rritur kërkesa për armatim, ndërsa thekson se Shqipëria ka bërë shumë mirë që nuk ka shuar përfundimisht industrinë e armëve.

Për sa i përket Uzinës së Gramshit ai tha se nuk është e vërtetë që në uzinë, e cila është jashtë funksionit nuk ka energji elektrike prej tre vitesh.
“Për shkak të agresionit rus në Ukrainë është rritur kërkesa për armatim. Kemi bërë mirë që nuk e kemi shuar përfundimisht industrinë tonë. Po mendojmë për ti rivendosur në punë këto uzina. . Nuk di që sot s’ka energji në Uzinë. Nuk ka uzinë në punë. Uzina ka statusin shoqëri aksionere por nuk ka aktivitet prej tre vitesh Nuk është e vërtetë që ka tre vite pa energji elektrike”, tha Peleshi.

Ndërkohë u shpreh se dhuna e përdorur nga tre të huajt, 2 rusë dhe një ukrainas ngre dyshime për hetimet.

“Padyshim që është një ngjarje që duhet vlerësuar, nuk mund të kalojë si një incident civil. Por nuk mund të nxitohemi dhe të nxjerrim konkluzione. Por fakti që është reaguar dhunshëm prej tyre na bëjnë të jemi të vëmendshëm deri në fund. Janë shumë struktura që po punojnë nga Inteligjenca Ushtarake, Policia Ushtarake, SHISH, policia e Shtetit, Antiterrori. Janë në pyetje tre shtetasit e huaj me pasaporta ruse dhe ukrainase.  Për pak do ketë një deklaratë për ecurinë e hetimeve,” tha Peleshi.

Çfarë ndodhi mbrëmë në Gramsh?

2 shtetas rusë  dhe një ukrainas tentuan  të futen dje e shtunë ( 20 gusht) në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.

33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe Fiodor Mihailovic me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas  incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

Në momentin që  njëri prej tyre tentoi të  futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur dhe një përplasje me rojet ushtarake.

Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt  mund të jenë agjentë.

Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!