Banorët e juglindjes të gjitha nevojat mjekësore diagnostikuese mund ti kryejnë edhe në poliklinikën e Spitalit Amerikan në Korçë. Drejtoresha e rrjetit të poliklinikave dhe laboratorëve të Spitalit Amerikan, Albana Daka tha se në këtë poliklinikë mund të kryhen të gjitha analizat dhe konsultat me mjekë specialistë.
“Shërbimet janë konceptuar në rang qarku, pra Pogradec, Korçë, Bilisht gjithë zonat përreth, për të mbuluar shërbimet si diagnostikuese por dhe trajtuese. Shërbimet fillojnë që nga paketat e check up-it, kontrolle nga më të thjeshtat për personat e shëndetshëm deri tek diagnozat më të ndërlikuara, sa i përket fushës kardiologjike, sëmundjeve të zemrës, fushës gjinekologjike apo ndjekjes së shtatzënisë. Problemeve të sistemit tretës dhe të stomakut, problemeve të ortopedike apo reumatologjike, pediatrisë, për tu ardhur sa më pranë prindërve për fëmijët e tyre”, thotë Albana Daka.
Sipas Dakës, çdo fundjavë pranë kësaj poliklinike kryejnë vizita dhe mjekë të Spitalit Amerikan. Kështu që pacientët e Qarkut të Korçës, nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë drejt Tiranës.
“Trajtimet janë si nga mjekë nga Korça ashtu dhe nga Tirana. Është e hapur në të 7 ditët e javës. Për patologji shumë të detajuara pacientët referohen në Tiranë”, u shpreh Daka.
Veç mjekëve me përvojë, aparaturat e kësaj poliklinike janë nga më modernet. Poliklinika ndodhet pranë qëndrës së qytetit të Korçës, në bulevardin Fan Noli, përballë Gjykatës së Apelit./Abcnews.al/