Specialisti i shëndetit në Londër: Ri-infektimi nga Covid në Shqipëri, për t’u ndjekur edhe nga OBSH

schedule19:20 - 9 Qershor, 2020

schedule 19:20 - 9 Qershor, 2020

Një rast riinfektimi nga koronavirusi në Shqipëri, ka ngjallur polemika dhe shumë diskutime tek ekspertët e shëndetit por jo vetëm. Ende është e paqartë se si është riinfektuar rasti i parë i raportuar nga Ministria e Shëndetësisë pak ditë më parë.

Për të folur në lidhje me këtë rast jo të zakontë jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, në një intervistë për gazetarin Endri Xhafo ishte specialisti i shëndetit publik në Londër Laidon Shapo.

Shapo sqaroi se ky rast riinfektimi në Shqipëri ka nevojë për një vëmendje të veçantë dhe një hetim të thelluar nga ekspertët e shëndetit, për mënyrën si ka ndodhur.

Sipas tij, në një studim të fundit, ku janë marrë rreth 300 persona të riinfektuar është konkluduar se pas PCR test, virusi tek ata ka qenë i pajetë dhe 96 % e tyre kishin krijuar anti-trupa.

“Të dhënat e një studimi jo të vogël me mbi 300 persona të riinfektuar, kishin dalë në përfundimin: Të riinfektuar apo me riaktivizim kanë virulencë shumë të ulët, virusi te këta persona pas PCR test u gjet thuajse pa jetë. Këta persona sipas studimit nuk janë të aftë të infektonin të tjerë, gjithashtu u pa se 96 % e tyre kishin krijuar antitrupa”, tha ai.

Në bashkëbisedimin me Xhafon, Shapo theksoi se ky rast riinfektimi duhet parë me kujdes dhe duhet raportuar gjithashtu me korrektesë pas evidencave të sakta që autoritet shëndetësore duhet të bëjnë në raste të tilla.

“Një pjesë e problemit është ky; nuk mund të raportohet për një rast riinfektimi thjesht duke thënë se u gjet në një personel shëndetësor për të cilin mendojmë se kemi të bëjmë me riinfektim. Kjo gjë nuk do të krijonte thjesht probleme me udhëzimet e deritanishme nga OBSH por edhe me mënyrën se si perceptohet nga komuniteti shkencor dhe nga publiku një diskutim i një riinfektimi. Kjo gjë krijon si probleme psikologjike por edhe të tjera, të cilat kanë nevojë për tu debatuar, dhe diskutuar në këto komunitete shkencore, duhet të shihet nëse qëndron apo jo ky fakt dhe çfarë na thotë shkenca deri tani. Mos të harrojmë se shkenca është e re, anglezët thonë “science is newë”, kemi të bëjmë me një shkencë të re për këtë virus. Si mund të dihet gjithçka rreth tij?! Rreth sjelljes së tij, mbrojtjes që lë, rreth niveleve të infektimit tek popullata, ku testet nuk janë bërë si në popullata të tjera. Kur nuk dimë se ç’mbrojtje dhe nivele infektimi kemi, një i riinfektuar nga kontaktet familjare, do të hapte një kuti pandore”, theksoi Shapo.

Pyetjes së gazetarit Endri Xhafo se korrektësia e lajmit apo njoftimit për riinfektimin e ri kishte të bënte me hetimin e thelluar ose jo, Shapo tha se duhet sqaruar plotësisht ky rast, në mënyrë të thelluar kjo edhe për rëndësinë dhe ashpërsinë e kësaj sëmundje por edhe për faktin se riinfektimi mund të ndodhë vetëm në dy raste; kur personi mund të ketë patur imunitet të ulët ose kur virusi muton gjenetikisht dhe ndryshon formën e tij, dhe nëse do të rezultonte kështu kjo “e bën rastin hipotetik të shkëlqyer për tu ndjekur nga disa instanca përfshi edhe OBSH”.

“Për të zgjidhur këtë rebus, kërkohet që të sqarohet plotësisht’ a ishte personi në fillim të marsit me shenja klinike, (kam dëgjuar që ishte), a ishte provuar se ishte i infektuar me anë të PCR testing?! Dhe më pas a është shëruar ky person?! A janë bërë teste aerologjike tek i njëjti persona për të parë se ç’nivele antitrupash ai kishte?! Problemi është se duhet të sqarohet si rast sepse evidencat deri tani na tregojnë  se “kushërinjtë korona” Sars dhe Mers, kanë kujtesë imunitare me të paktën nga 6 muaj deri në 1 vit. Me këto terminologji, për nga rëndësia dhe ashpërsia e sëmundjes duhet folur me shkencë.  

Ka vetëm një mundësi që ky të jetë riinfektim i pastër, ose personi ka qenë me imunitet të ulët, ka grupe dhe kategori njerëzish që duken të shëndetshëm por mund të kenë imunitet disi të ulët. Jeni me fat që nga hapja që është bërë nuk ka sjellë më shumë nga këta persona por fakti është që më shumë teste më shumë raste dalin.

E dyta riinfektimet mund të ndodhi edhe atëherë kur virusi muton genetikisht dhe kemi të bëjmë me forma të reja të tij.

Ky fakt e bën rastin hipotetik të shkëlqyer për tu ndjekur nga disa instanca përfshi edhe OBSH. Nuk e di se çfarë po bëhet për këtë rast por do ishte shumë interesante për të gjithë forumet që të kuptohet me çfarë kemi të bëjmë këtu.

Duke marrë parasysh për të gjithë ngjarjet që po ndodhin në botë me grumbullimet masive të njerëzve,  na duhet të kuptojmë çfarë po ndodh në rastin e këtyre riinfektimeve apo riaktivizimeve i copëzave të mbetura të virusit të dobësuar, tek njerëz me imunitet të ulët që në kontakt me të tjerë mund të rikrijojnë një problem” tha ndër të tjera Shapo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!