Spanjë/ Qeveri e re, qasje e re?

schedule21:27 - 6 Qershor, 2018

schedule 21:27 - 6 Qershor, 2018

Qeveria e re spanjolle mund të ketë një qasje më të ngrohtë ndaj Kosovës. Elementët që ngrenë këtë hipotezë janë dy, emërimi i një politikani katalanas si ministër i Jashtëm dhe eksperienca e kryeministrit të ri, Pedro Sançez në Kosovë gjatë luftës.

Qeveria e re spanjolle, që mori detyrën ditën e shtunë, ka gjasa të ketë një qasje të re ndaj Kosovës, ndryshe nga ajo e ekzekutivit parardhës të Mariano Rahoj. Ajo çfarë ngjall pakëz shpresë në këtë drejtim është emërimi i Hozep Borrel, një politikan katalanas dhe ish-president i Parlamentit Europian, në postin e ministrit të Jashtëm.

Borrel është sa i njohur aq edhe antipatik në disa aspekte, për faktin se ka kundërshtuar vazhdimisht pavarësinë e rajonit të Katalonjës, edhe pse vjen prej tij. Ndonëse në shkurt të 2008-s ai kundërshtoi hapur edhe pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar shtetin e ri një produkt amerikan; në vitin 2017 ai do ta përdorte atë si argument për të ruajtur unitetin e Spanjës.

“Katalonja nuk është si Kosova, Lituania apo Algjeria. Nuk është një territor i pushtuar ushtarakisht”, tha Borrel asokohe.

Nuk duhet anashkaluar as fakti se në vitin 2006, kur ishte ende në krye të Parlamentit Europian, Borrel nuk vonoi t’i shprehte ngushëllimet e tij familjes Rugova, pas humbjes së patriarkut të saj.

“Presidenti Rugova ishte mbështetës i palëkundur i të drejtave të popullsisë shqiptare në Kosovë. Ai luftoi për pavarësinë e Kosovës, por besonte se objektivat e tij mund të arriheshin me anë të dialogut politik dhe jo konfliktit dhe dhunës”, u shpreh Borrel në mesazhin e tij.

Një tjetër element që sugjeron mundësinë e shkrirjes së akujve mes Spanjës dhe Kosovës është edhe vetë kryeministri i ri iberik, Pedro Sançez. Sançez i ka ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë gjatë viteve të luftës, pasi ka qenë ndihmësi i shefit të misionit të OKB-së. Sidoqoftë, nëse rrokada qeveritare iberike do të shërbejë vërtet për të përmirësuar marrëdhëniet mes Madridit dhe Prishtinës, kjo mbetet për t’u parë./abcnews.al