Spanjë, nis hetimi për anijen e mbytur të emigrantëve në Ishujt Kanarie

schedule20:26 - 23 Qershor, 2023

schedule 20:26 - 23 Qershor, 2023

Avokati i Popullit në Spanjë ka nisur një hetim për shkak se 60 emigrantë të bllokuar në një varkë me destinacion Ishujt Kanarie u desh të prisnin më shumë se 12 orë për t’u shpëtuar, si rezultat i së cilës humbën jetën të paktën 35 persona, përfshirë një fëmijë.

Pasagjerët në varkë, e cila hasi në vështirësi në brigjet e Saharasë Perëndimore të martën pasdite, apeluan për ndihmë. Vetëm të nesërmen u shfaq një varkë shpëtimi marokene dhe mori 24 persona.

Dy OJQ, Walking Borders dhe Alarm Phone, akuzuan autoritetet spanjolle dhe marokene se nuk kanë vepruar shpejt, raporton Guardian. Madje, një përfaqësues i Walking Borders tha se kjo pritje e gjatë përbën “torturë”.

Të premten doli në dritë një material audio që konfirmonte se autoritetet spanjolle ia kishin lënë operacionin e shpëtimit marokenëve. Ndërkohë, agjencia spanjolle tha në një deklaratë se “veproi në përputhje të plotë me rregullat dhe procedurat e koordinimit ndërkombëtar për kërkimin dhe shpëtimin detar”.

Spanja tha se anija ishte vendosur në një operacion kërkimi dhe shpëtimi të përbashkët nga Spanja dhe Maroku dhe se ishte vendosur që Maroku duhet të ndërmerrte shpëtimin pasi anija ishte 88 milje nga Kanariet dhe vetëm 40 milje nga Laayoune.

Një pilot spanjoll kishte fluturuar në zonën e detit dhe pa që anija nuk ishte fundosur dhe se nuk kishte njeri në ujë. Ai informoi bazën e tij se ishte në SAR (zona e kërkimit dhe shpëtimit) spanjolle, por iu tha se Maroku do të ndërmerrte shpëtimin për shkak të pozicionit të anijes.

Piloti më pas u urdhërua të kthehej në bazë, ashtu si edhe një varkë shpëtimi spanjolle, e cila ishte rreth 40 milje larg nga varka e emigrantëve.

Trupat e një burri dhe një fëmije janë gjetur, por më shumë se 30 persona janë ende të zhdukur, ndoshta të mbytur. /abcnews.al