Spanja ka marrë më 1 korrik udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilën do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti. Një ditë më parë, ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, theksoi se qëndrimi i vendit të tij është i qartë: Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa mbështet tentimet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ky qëndrim nuk ka ndërruar, as nuk do të ndërrojë, dhe të gjithë aleatët tanë e dinë këtë shumë mirë”, tha Bartolome më 30 qershor.
Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, bashkë me Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron. Sipas rendit të paracaktuar, Spanja mori presidencën e BE-së për gjashtë muaj pas Suedisë që e kishte pasur në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Prej 9 janarit, Presidenca Suedeze e Bashkimit Evropian kishte nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.