Teksa Britania po përpiqet të bindë BE-në të modifikojë marrëveshjen për Breksit, në Spanjë janë ringjallur pretendimet për Gjibraltarin. Madridi zyrtar kërkon që gadishulli të mbetet jashtë çdo akordi që mund të arrihet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.
Madridi zyrtar do të insistojë që gadishulli i Gjibraltarit të mos përfshihet në marrëveshjet mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian në lidhje me Breksit. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka deklaruar se vendi i tij synon të luftojë për sovranitet të përbashkët mbi atë copëz territori që ndodhet në jug të Spanjës, por që i përket Britanisë që prej vitit 1713.
“Në çdo marrëveshje që do të arrihet me Britaninë do të ketë një “yll” që sqaron se marrëveshja nuk prek Gjibraltarin”, ka deklaruar Sançez.
Madridi prej kohësh kërkon sovranitet mbi gadishullin shkëmbor, që lidhet me pjesën jugore të territorit spanjoll përmes një brezi të hollë toke. Normalisht pritet që Gjibraltari të dalë nga BE bashkë me Britaninë, por insistimi i qeverisë iberike lidhet me faktin se 97 për qind e popullsisë së gadishullit votuan që të qëndronin në Europë në referendumin e vitit 2016.
“Spanja dëshiron që në çdo dokument që do të firmoset për Breksit të saktësohet se ajo nuk ka lidhje me Gjibraltarin, i cili do të mund të funksionojë në bazë të një marrëdhënieje tjetër”, kanë saktësuar burime pranë qeverisë spanjolle.
Përplasja mes Madridit dhe Londrës në lidhje me Gjibraltarin kërcënoi të devijonte negociatat për Breksit të zhvilluara Nëntorin e kaluar, por një marrëveshje e minutës së fundit i hapi rrugë 27 vendeve anëtare që të aprovonin paketën e divorcit./abcnews.al