Seria A ka në përbërje të saj ekipin që mund të quhet mrekullia e Europës. Është skuadra modeste Spal, që pas fitores ndaj Atalantës, është ngjitur në vendin e dytë në renditje.
Nuk ekziston vetëm një Seria A.
Ashtu si çdo shoqëri njerëzore, ku thuajse gjithnjë ka një polarizim të skajshëm mes pasurisë së individëve, ashtu edhe në kampionatin italian, ka edhe një realitet tjetër, përveç Juventusit dhe Cristiano Ronaldos.
Një skuadër me jo aq shumë euro në xhep, e quajt SPAL, po merr emrin e sfiduesit të gjigandëve.
Suksesi i fundit ndaj Atalantës, 2-0, bëri që ekipi i qytetit të Ferrarës të ngjitej në vend të dytë në Serinë A, maksimumi i mundshëm në një turne ku fituesi zakonisht dihet.
SPAL lë prapa skuadra me shumë më tepër emër dhe me buxhet ku e ku më të lartë.
Klubi i presidentit Matioli jep 21 milionë euro rroga, 10 herë më pak sesa Juventusi, dhe shumë herë poshtë Milanit, Interit, Romës, Napolit apo Lacios.
Spali ka 30 milionë euro buxhet gjithsej, ndërsa tri sezone më parë, kur ishte në Serinë B, mbijetonte me 8 milionë, tepër pak edhe për atë kategori.
Suksesi është i madh, por trajneri Leonardo Sempliçi këshillon lojtarët që të mbeten me këmbë në tokë.
“Renditja jonë është e jashtëzakonshme, – tha ai për RAI-n, – veçse është vetëm fillimi dhe nuk duhet të kemi eufori. E ardhmja do të jetë e vështirë”.
Sado e vështirë të jetë kjo e ardhme, SPAL-i e ka bërë historinë.
U kthye në Serinë A në 2017, pas 49 vjetësh, rezistoi dhe tani është në majë.
Kjo ka bërë që qyteti i Ferrarës, i njohur në botë kryesisht për vlerat e kulturës, si trashëgimi e njerëzimit mbrojtur nga UNESCO, të ketë tani edhe një reklamë të tjetër, skuadrën e futbollit.
Nuk dihet sesa do të vazhdojë “mrekullia Spal”, por tifozët e dinë se në këtë jetë, shpesh herë duhet të jetosh momentin./abcnews.al