Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë zbuluar përplasjet më të ashpra që kanë ndodhur mes grupeve kriminale. Sipas SPAK grupi që drejtohej nga Ervis Martinaj në aleancë me atë të ish-deputetit Arben Ndoka të mbështetur nga Emiljano Shullazi dhe Avdylaj në Shijak rezultojnë kundërshtarë të Durim Bamit dhe klanit Duka.
Hetimet zbuluan se Martinaj ka kërkuar vrasjen e Fatmir Hysenit nga Vlora dhe Durim Bamit, ndërsa ky i fundit në bashkëpunim me vëllezërit Duka ka tentuar të eliminojnë Martinajn dhe Arben Ndokën.
Sipas prokurorisë në korrik të 2020-tës Ervis Martinaj ka rënë pre e një atentati në qytetin e Burrelit. Në atë kohë autorët nuk janë identifikuar, ndërsa dyshohet se organizator ka qenë grupi i drejtuar nga Bami dhe vëllezërit Duka.
Nga ana tjetër Emiljano Shullazi që është dënuar për gjobëvënie ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe i dyshuar si i përfshirë në atentatin ndaj Vajdin Lames, ka kontakuar Tesi Bashon për të realizuar vrasjen e Durim Bamit për llogari të Martinajt dhe Arben Ndokës.
Kështu, në nëntor të vitit 2020, Bami ra pre e një atententati me armë pranë urëz së Tapizës në Fushë-Krujë, por makina me të cilën ai udhëtonte ishte e blinduar dhe për këtë ai shpëtoi.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu edhe një tjetër grup kriminal, të drejtuar nga shtetasi Edison Reçi, nipi i Kastriot Reçit që u vra në janar të 2020-tës me snajper në Rrëshen.
Reçi me qëllim hakmarrjen ka organizuar vrasjen e shtetasit Preng Gjini në shtator të 2020-tës, I cili u plagos nga shpërthimi me eksploziv në automjet në zonën e Vasil Shantos në Tiranë.
Pjesë e hetimeve janë edhe 4 punonjës policie, dy prej të cilëve ish-zyrtarë të lartë dhe 2 ish-efektivë të repartit special RENEA.
Rezulton se shefi i antidrogës në Lezhë, Klodian Shahini dhe ish-drejtori i policisë Herigert Mitri jepnin informacione tek grupi i Edison Reçit për lëvizjet e Preng Gjinit.
Po kështu, ata bashkëpunonin edhe në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në zonën e Lezhës. Ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina rezulton se ka bashkëpunuar me Durim Bamin për kultivimin e kanabisit në zonën e Niklës e Tapizës.
SPAK thotë zyrtarisht se hetimet vijojnë për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale ku të përfshirë janë drejtues dhe anëtarë të këtyre bandave. /abcnews.al