15 vite nga ekzekutimi, SPAK akuzon Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij, Artan Arsi në 27.02.2005 me eksploziv në pallatin ku banonte te Kulla Nr.2, Lagja nr.9, rruga “Dervish Hima”, Tiranë. Për këtë ngjarje ndaj Shullazit është caktuar një tjetër masë sigurimi, pasi aktualisht ndodhet në burg për gjobëvënie, ndërkohë që Ymeri është arrestuar ditën e djeshme me urdhër të SPAK.
Ndërkohë që me këtë dosje, duke parë lidhjet mes të akuzuarve dhe bashkëpunimin për dy vrasjet brenda 24 orëve, SPAK ka bashkuar edhe atë të ekzekutimit të Klodian Saliut, ish-anëtar i bandës së Durrësit që më pas u kthye në rival pas përplasjeve të brendshme duke sjellë eliminimin e tij në 26.02.2005 (24 orë para Vajdin Lamajt) në segmentin rrugor Durrës–Maminas në afërsi të fshatit Koxhaj.
Saliu u qëllua për vdekje teksa po lëvizte me autoveturën e tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Për këtë ngjarje prokuroria ka ngritur akuza dhe arrestuar Indrit Taullaun në Kosovë, që pritet të ekstradohet në Shqipëri, ndërsa Lul Berisha dhe Plarent Dervishaj janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Saliut, mikut që u kthye në armik. Çelësi dyshohet se ka qenë Luftar Reci, që sipas burimeve pranoi të bëhet dëshmitar i drejtësisë duke treguar krimet.
Njoftimi i plotë nga SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka kryer hetime në funksion të procedimit penal nr.252 të vitit 2020. Hetimet e këtij procedimi penal kanë të bëjnë me dy ngjarje të ndodhura para 15 vitesh, autorët e të cilave nuk ishin zbuluar.
Më konkretisht bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 26.02.2005, ku rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. Saliu, i cili po lëvizte me autoveturën e tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Nga këto goditje me armë zjarri ka mbetur i vdekur shtetasi K. Saliu, si dhe është plagosur shtetasi O. Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.
Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, ku rreth orës 23:50, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen shtetasit V. Lame dhe A. Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima V. Lamaj, me adresë Kulla Nr.2, Lagja nr.9, rruga “Dervish Hima”, Tiranë.
Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rifilluar hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm.
Pas rifillimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale. Më tej Prokuroria ju drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve.
Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.115 datë 02.12.2020 ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve:
- Berisha, P. Dervishaj, I. Taulla dhe L. Reci, të dyshuar për veprat penale të të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan Saliu), “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78, 28/4, 278, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal.
Gjithashtu, po me këtë vendim Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve E. Shullazi dhe V. Ymeri (Imeraj), E. Shullazi për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 07.12.2020 ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit V. Ymeri. Gjithashtu në datën 06.12.2020 falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Republikës së Kosovës u bë e mundur që të kapej në qytetin e Prizrenit shtetasi I. Taulla. Për këtë shtetas kanë filluar procedurat e ekstradimit të tij nga Republika e Kosovës.
Ndërsa në datën 08.12.2020, Policia Gjyqësore ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit E. Shullazi (aktualisht i paraburgosur për një vepër tjetër penale).
Nisur nga dinamika e hetimeve, në datën 07.12.2020 Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I. Rusi, i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 78, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Për shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Hetimet dhe ekzekutimi i masave të sigurimit janë kryer në bashkëpunim të ngushtë dhe shumë efikas me Drejtorinë Hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Zbulimi dhe përballja me ligjin e autorëve të veprave penale të rënda dhe akoma të pazbuluara ngelet një ndër prioritetet e Prokurorisë së Posaçme. Të gjithë qytetarët që kanë dijeni në lidhje me këto ngjarje kriminale janë të lutur që të deklarojnë në Prokurori duke i garantuar ata për seriozitetin dhe gatishmërinë e Prokurorisë së Posaçme për ti shkuar deri në fund të hetimit me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të autorëve./ db/Abcnews.al