18 vjet nga tragjedia e Gërdecit, avokati Idajet Beqiri ka ngritur akuza të forta ndaj institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se disa nga çështjet kryesore që lidhen me këtë ngjarje nuk janë hetuar siç duhet. I ftuar në emisionin Real Story në ABC News, Beqiri deklaroi se për Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) më i rëndësishëm duhej të ishte hetimi i trafikut të armëve që, sipas tij, u zhvillua në Gërdec, por që nuk është hetuar as nga prokuroria e re dhe as nga ajo e vjetër.
Ai shtoi gjithashtu se SPAK nuk ka hetuar siç duhet as rrethanat e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka, duke vënë në pikëpyetje versionin zyrtar të aksidentit automobilistik dhe duke e cilësuar të dënueshme mungesën e hetimeve të plota për këtë çështje. Sipas Beqirit, tragjedia e Gërdec vijon të trajtohet edhe në Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ndërsa një pjesë e opinionit publik e konsideron atë një krim shtetëror.
“Më e rëndësishme për SPAK më e rëndësishme ishte problemi i trafikut të armëve që u bë aty. Trafiku i armëve bëri bujë të madhe. Prokuroria e re dhe ajo e vjetër nuk po e hetojnë fare dhe kjo është më e renda për SPAK. E dyta, nuk i ka mundësitë SPAK që të hetojë shkakun e vrasjes së Trebickës, do të dilnin faktorë të tjerë.
Për mua është e dënueshme. Më e rënda vazhdon te Gjykata e Starsburgut, që një popull i tërë e cilëson si krim shtetëror. Kjo është një vrasje me paramendim, ky është një krim shtetëror, ky duhet të ishte qëndrimi i shtetit në Strasburg. Nga ana tjetër të mos harrojmë faktin që misteri i vrasjes së Trebickës, nuk ishte aksident automobilistik. Këtë e thonë e prokurorët.
Për ta hetuar SPAK duhet të nisë që në Universitetin e Arteve, pse Shkëlzen Berisha u fut në makinën e Trebickës. Trebicka është varrë në hotel dhe me levë, dhe është inskenuar ngjarja si aksident. SPAK kur u krijua në vitin 2016, u krijua për “Gërdecin” dhe “21 Janarin” dhe për këto nuk është në detyrën e vet”, tha Beqiri.


