Hetimet për vrasjet e 21 janarit do të kryen nga prokuroria e posaçme. Spak njoftoi zyrtarisht të martën se ka rregjistruar hetimet për 3 vepra penale duke nisur nga ajo e vrasjes në rrethana cilësuese të kryer në bashkëpunim ndaj dy ose më shumë personave, “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe ajo e shpërdorimit të detyrës me dyshimin se janë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë.
Vendimi erdhi pasi familjarët e viktimave të 21 janarit i kërkuan gjykatës së lartë që hetimet për zbardhjen e vrasjeve të të afërmve të tyre te ndiqen nga spak me argumentin se të përfshirë në vrasje rezultojnë funksionarë të lartë shtetërorë përfshi ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e brëndshëm Lulzim Basha dhe drejtues të lartë të gardës së Republikës. Tashmë spak duhet të hetoje për të parë rolin e ish-funksionarëvë të lartë shtetërorë nëse kanë apo jo përgjrgjësi në vrasjet e ndodhura 13 vite më parë. Lulzim Basha si një nga personat e kallëzuar mohoi të ketë dhënë urdhër për të qëlluar duke hequr përgjegjësinë nga vetja.
Ai nuk dha një përgjigje mbi rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha për ngjarjet e 21 janarit ku humbën jëtën 4 protestues.
“Është çështje në hetim, nuk jam as SPAK as GJKKO, të bëhet një hetim i gjithanshëm”
Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa. Spak rregjistroi hetimet pas zbardhjes së vendimit të gjykatës së lartë dhe asaj të të të drejtave të njeriut me seli në strasburg. Sipas kësaj të fundit për vrasjet e 21 janarit nuk është zbardhur roli i zinxhirit komandues të gardës dhe vrasjet janë konsideruar krim shtetëror.
Po kështu në vendim thuhet se prokuroria në atë kohë është penguar për të zbardhur ngjarjen. Nga ana tjetër spak I ka kërkuar prokurorisë së Tiranës që ti verë në dispozion aktet e dosjes që po heton që prej vitit 2021 për vrasjen e Aleks Nikës. Hetimi i parë çoi si të pandehur Ndrea Prendin dhe gardistin Agim Llupon, që u dënuan nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” ku mbetën të vrarë Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës nuk u gjetën autorët.
Njoftimi i SPAK:
Nisur nga interesimi i vazhduar i medias dhe publikut njofotjmë se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 15.07.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.138, të vitit 2024, për veprat penale:
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.
“Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;
“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.
Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posacme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika, si dhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.
Në rastin konkret hetimi i veprave penale të parashikuara nga nenet 79, gërmat “dh” dhe “ë” e 25, 248 e 25, si dhe 301 e 25 të Kodit Penal, është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, në bazë të nenit 75/a, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.
Duke vlerësuar informacionet e përftuara dhe të administruara se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ishte duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285, vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21.01.2011, për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, si dhe pas njoftimit të datës 15.07.2024 të bërë nga prokurori i çështjes, në mbështetje të neneve 29 pika 3 dhe 75/a, me vendimin e datës 15.07.2024, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur ndër të tjera:
Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011./abcnews.al