Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

SPAK po ul paraburgimet

schedule13:22 - 27 Prill, 2026

schedule 13:22 - 27 Prill, 2026

Nga Klodian Braho*

Në përmbushje të detyrimit kushtetues edhe ligjor, po ju paraqes në mënyrë të përmbledhur të dhënat kryesore të Raportit Vjetor të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2025.

Fillimisht, përfitoj nga rasti për t’ju falenderuar për besimin tuaj duke më përzgjedhur Drejtues të Prokurorisë së Posaçme, si dhe njëkohësisht ju shpreh dhe njëherë angazhimin tim maksimal për konsolidimin e mëtejshëm të Strukturës së Posaçme.



Ky raportim është për vitin 2025, kur institucioni është drejtuar nga z. Dumani, të cilin gjithashtu gjej rastin ta falënderoj për kontributin e tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vlerësoj gjithashtu angazhimin dhe punën e palodhur të prokurorëve të posaçëm, hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të gjithë stafit të SPAK, si dhe bashkëpunimin me institucionet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë vitit 2025, SPAK vijoi konsolidimin e rolit të tij kushtetues dhe ligjor si institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Aktiviteti i SPAK u karakterizua nga rritje e volumit hetimor, intensifikim të hetimeve financiare, forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rezultate konkrete në ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë dhe grupeve kriminale.

Raporti vjetor evidenton se gjatë vitit 2025, SPAK ka vepruar në funksion të rritjes së efikasitetit institucional, përdorimit të teknikave speciale të hetimit dhe zgjerimit të kapaciteteve profesionale.

Janë reflektuar dhe janë përmbushur në masë të gjerë rekomandimet e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, Rekomandimeve të Këshillit të Ministrave si dhe të Progres–Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025.

Gjatë këtij viti raportues, SPAK ka kontribuar në një masë të konsiderueshme në raportimin e vendit tonë në kuadër të Raundit të 6-të të vlerësimit të Shqipërisë nga Komiteti MONEYVAL, duke u përfshirë në vlerësimin e 9 prej 11 Rezultateve të Menjëhershme të këtij procesi. Takimet me grupin e ekspertëve të MONEYVAL u përmbyllen javën që shkoi.

 ZBATIMI I STRATEGJISË INSTITUCIONALE

Në zbatim të Planit Strategjik 2024-2027, Prokuroria e Posaçme ka miratuar dhe po ndjek zbatimin e dokumenteve strategjikë si:

  • Strategjinë për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura 2025-2027;
  • Strategjinë e Komunikimit 2025-2028;
  • si dhe akte nënligjore Rregulloren për Përcaktimin e Procedurave të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Janë hartuar gjithashtu dhe priten të përfundojnë në vitin 2026 akte nënligjore si:

  • Udhëzimi për qarkullimin e brendshëm të dosjeve;
  • Protokolli për komunikimin gjatë krizave;
  • Udhëzimi mbi masat për financimin e terrorizmit sipas rekomandimeve të MONEYVAL;
  • Rregullorja për mbrojtjen e të dhënave personale etj.

Në lidhje me zbatimin e Strategjisë së çështjeve të prapambetura, objektivi i uljes së tyre për vitin 2025, është përmbushur plotësisht.

VOLUMI I PUNËS

Gjatë këtij viti Prokuroria e Posaçme ka hetuar gjithsej 871 procedime penale. Krahasuar me vitin 2024, volumi i punës së SPAK është rritur me 4,9%.

Nga arritjet domethënëse të vitit 2025 është edhe rritja e rolit proaktiv të prokurorëve të posaçëm. Në krahasim me vitin 2024, ky raport është thuajse dyfishuar, nga 19,8% në vitin 2024, në 37% në vitin 2025.

Nëse do t’i referohemit efektivitetit në hetim për vitin 2025, raporti mes procedimeve penale të reja të regjistruara (294) dhe çështjeve/hetimeve të përfunduara (216) ka pësuar një rritje prej rreth 7%.

EFEKTIVITETI NË GJYKIM

Efektiviteti i SPAK në gjykim ka mbetur në nivele të qëndrueshme, gjatë periudhës 2021–2025. Krahasuar me vitin 2024, numri total i vendimeve të GJKKO-së është rritur lehtë me 5,5% (nga 72 në 76 vendime), duke reflektuar stabilizim të volumit të çështjeve të përfunduara.

Vendimet e fajësisë përbëjnë rreth 87% të totalit (66 nga 76), ndërsa vendimet e pafajësisë rreth 13% (10 nga 76), duke treguar nivelin e lartë të efektivitetit të Prokurorisë së Posaçme në fazën e gjykimit.

Gjatë vitit 2025, numri i rekurseve të paraqitura në Kolegjin e Posaçëm të Gjykatës së Lartë për çështjet e hetuara nga SPAK është ulur ndjeshëm, me rreth 63% (nga 87 në 32). Për këto çështje, Gjykata e Lartë ka shqyrtuar dhe marrë 59 vendime përfundimtare, ndërsa 1 vendim është marrë nga Gjykata Kushtetuese.

 MASAT E SIGURIMIT

Një vend qendror në veprimtarinë tonë zë politika penale e aplikuar përmes masave të sigurimit. Politika jonë penale gjatë vitit 2025 është udhëhequr nga parimi i proporcionalitetit dhe i nevojës, duke konsideruar arrestin në burg si mjetin e fundit të sigurimit personal.

Kështu, krahasuar me vitin 2024, masa “arrest me burg”, ka pësuar rënie si në vlerë absolute me rreth 53,4 %, (nga 236 raste në vitin 2024, në 110 raste në vitin 2025), ashtu edhe në raport me numrin total të masave të aplikuara (nga rreth 61% në vitin 2024, në rreth 39% në vitin 2025).

Prej totalit të rasteve për vitin 2025, rreth 3.45% e tyre lidhen me veprat penale të korrupsionit, ndërsa 21.14% të totalit lidhen me veprat penale të krimit të organizuar.

Në terma numerikë, nga 434 persona në hetim në vitin 2025 janë hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg” gjithsej 110 persona të arrestuar dhe 65 persona të tjerë në mungesë. Për veprat penale të korrupsionit është zbatuar masa e sigurimit “arrest në burg” për 15 persona të arrestuar dhe 5 persona të tjerë në mungesë.

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT, PËRFSHIRË  AI I NIVELIT TË LARTË

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se, korrupsioni në institucionet publike dhe në sistemin e drejtësisë mbetet një fenomen shqetësues, i cili përfshin, funksionarë vendorë dhe administrativë, si edhe prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie etj.

Edhe në këtë drejtim , SPAK ka shënuar një rritje prej rreth 18% të çështjeve të reja për korrupsion (nga 186 në 220) dhe rreth 12% (nga 139 në 156) të çështjeve/hetimeve të përfunduara krahasuar me një vit më parë.

Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë, si dhe 10 procedimeve me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, me 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim.

Nga 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë nën hetim gjatë vitit 2025,  mbi 50% e tyre (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike.

LUFTA KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR

Gjatë vitit 2025, edhe pse numri i hetimeve që lidhen me krimin e organizuar të regjistruara është më i ulët, krahasuar me vitin 2024 (nga 101 në 74), numri çështjeve të përfunduara të kësaj kategorie kanë shënuar një rritje me rreth 3,4% (nga 58 në vitin 2024, në 60 në vitin 2025).

Të dhënat krahasuese për periudhën 2024 dhe 2025 tregojnë gjithashtu një rritje me 11,5% të personave në hetim (nga 400 në 446) dhe 36,6% të personave të dërguar për gjykim (nga 134 në 183), çka tregon një orientim më cilësor të hetimeve drejt strukturave më të gjera dhe më të organizuara kriminale.

HETIMI FINANCIAR DHE PASUROR

Sektori i hetimit financiar ka ushtruar funksionet me 12 hetues financiar, ndërsa vijojnë procedurat e rekrutimit për 4 të tjerë. Një arritje që duhet nënvizuar është rritja e efikasitetit të këtij sektori, i cili tashmë operon me një rrjet të zgjeruar aksesi në 22 databaza shtetërore dhe private. Kjo ka mundësuar që të hartohen profilet financiare të personave nën hetim, duke zbuluar skema komplekse të pastrimit të parave, përdorimin e personave të tretë dhe transfertat e dyshimta jashtë vendit.

Gjatë këtij viti, kemi vijuar të zbatojmë parimin e “ndjekjes së parave”, paralelisht me hetimin penal dhe vlerat e sekuestruara dhe të konfiskuara gjatë këtij viti arrijnë shifrën prej 45,4 milionë eurosh, ku përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave, me vlere ekuivalente prej 14,5 milionë dollarë ose rreth 12,4 milionë euro.

Sa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100,000 euro.

BASHKËPUNIMI NDËRKOMBËTAR

SPAK është tashmë një partner i besueshëm për agjencitë si Eurojust, Europol dhe FBI. Gjatë vitit 2025 janë trajtuar 95 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike, të ardhura nga autoritet e huaja. Prej tyre, janë ekzekutuar 68 dhe 27 kërkesa për ndihmë juridike, të dërguara në fund të vitit 2025, janë në fazë ekzekutimi.

Krahasuar me vitin 2024, në vitin 2025 kërkesat për ndihmë juridike nga jashtë u rritën me 35,7% (nga 70 në 95 kërkesa). Kohëzgjatja e ekzekutimit të këtyre kërkesave luhatet nga 2 javë deri në 6 muaj.

Për nevoja të hetimeve janë përpiluar 156 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike drejtuar autoriteteve të huaja, të vendeve Evropiane, Rajonit, si dhe vendeve të Amerikës Latine. Nga totali i kërkesave të transmetuara autoritetet e huaja kanë ekzekutuar 55 kërkesa për ndihmë juridike, 3 kërkesa janë ekzekutuar pjesërisht, dhe 97 kërkesa për ndihmë juridike janë në fazë ekzekutimi.

Ndërsa pjesëmarrja në Skuadrat e Përbashkëta Hetimore (JIT) mbetet një element thelbësor për hetimet transnacionale. Në vitin 2025 janë krijuar 6 Skuadra të Përbashkëta Hetimore, dhe është dakordësuar me autoritetet e huaja për krijimin edhe të 6 Skuadrave të tjera Hetimore.

Kanë vijuar gjithashtu hetimet për 26 Skuadra të Përbashkëta Hetimore, aktive të krijuara gjatë viteve 2020-2025.

 BASHKËPUNIMI ME INSTITUCIONET PUBLIKE

Sa i takon, bashkëpunimit me institucionet publike dhe personat juridik është shënuar një përmirësim relativ gjatë vitit 2025. Kështu hetimet e filluara me referime nga Policia e Shtetit janë rritur me rreth 70%, ndërsa hetimet e nisura me referime nga institucionet publike kanë shënuar një rritje me rreth 15%. Nga ana tjetër, hetimet e filluara me kallëzime nga subjekte politike dhe personat juridikë kanë pësuar një rënie përkatësisht me rreth 50% dhe 75%.

 KOMPENTENCAT E RIVLERËSIMIT

Prej 1 janarit të vitit 2025, SPAK ka marrë kompetencat e ish-Komisionerëve Publikë. Drejtuesi i Prokurorisë dhe 2 Drejtuesit e Seksioneve kanë trajtuar 41 ankime të pashqyrtuara, duke përfunduar 32 prej tyre pranë KPA-së (68%). Janë zhvilluar 107 seanca gjyqësore për këtë proces, duke garantuar pastërtinë e figurës në sistemin e drejtësisë.

 KAPACITET TEKNIKE: SEKTORI I EKSPERTIZËS

Teknologjia është bërë pjesë e pandarë e hetimeve tona. Në periudhën 2022-2025, aktet e ekspertimit u rritën me rreth 31% (nga 256 në 336). Telefonat celularë përbëjnë 70-75% të provave, ndërsa analizat e pajisjeve kompjuterike u rritën me 62% (nga 40 në 65).

SISTEMI I MENAXHIMIT TË ÇËSHTJEVE (CASE MANAGEMENT SYSTEM)

Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2025, vijoi zbatimin dhe konsolidimin e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, me synim aktivizimin e plotë të moduleve, rritjen e efikasitetit dhe gjenerimin e statistikave në kohë reale.

Në janar të vitit 2025 nisi zbatimi praktik i sistemit me përmirësime të vazhdueshme funksionale, ku u përfundua zhvillimi dhe implementimi i modulit të referimit dhe procedimeve pasurore, si dhe i modulit të statistikave sipas formatit zyrtar të raportimit, që mundëson edhe identifikimin e backlog-ut të çështjeve.

 BURIMET NJEREZORE DHE BUXHETI

Gjatë vitit 2025, në SPAK kanë ushtruar detyrën 124 punonjës. Realizimi faktik i shpenzimeve është në vlerën 1,352 milion lekë, nga 1,480 milion lekë të parashikuara, ose 91% e planit të rishikuar.

Një pjesë e madhe e fondeve është orientuar drejt pajisjeve elektronike, licencave ekzaminuese dhe infrastrukturës së godinës së re. Kemi përfituar asete teknike nga EU4LEA, ICITAP, OSCE dhe NCA, duke forcuar kapacitetet pa rënduar buxhetin e shtetit.

BYROJA KOMBËTARE E HETIMIT

Gjatë viti 2025 u zgjodh Drejtori i ri i BKH-së. Roli i Drejtorit të BKH-së në vitet që vijnë do të jetë përcaktues për të thelluar bashkëpunimin mes hetuesve dhe prokurorëve.

Gjatë vitit 2025, BKH ka shënuar përparim të dukshëm në fuqizimin e kapaciteteve të saj dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian. Veprimtaritë kryesore përfshijnë rritjen e numrit të referimeve, finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Policinë e Shtetit sipas nenit 29, të ligjit nr. 95/2016, si dhe procesit vijues të rekrutimit të 10 oficerëve të shërbimeve gjyqësore (nga 67 kandidatë), ndërsa aktualisht është bërë zgjedhja e zv/Drejtorit të BKH-së, rol për të cilin kandiduan 11 kandidatë.

Në aspektin struktural, BKH-ja ka ngritur Seksionin e Përgjimit Parandalues gjatë vitit 2025, ndërsa janë kryer zhvillime të tjera strukturore gjatë muajit mars 2026.

Hetuesit e BKH-së kanë rritur aksesin në 22 databaza kombëtare dhe 3 të huaja, në negociata për të shtuar 14 institucione të tjera dhe një agjenci të huaj.

BKH-ja ka vazhduar gjithashtu, pjesëmarrjen në platformën EMPACT dhe ka siguruar trajnime të vazhdueshme për hetuesit e saj. Këto përparime janë ndërlidhur me adresimin e prioriteteve të integrimit evropian, Rezolutën e Kuvendit dhe rekomandimet e Këshillit të Ministrave.

 TRANSPARENCA DHE KOMUNIKIMI

SPAK ka ndjekur një strategji të re komunikimi (2025-2028). Janë publikuar 114 njoftime për shtyp dhe trajtuar 170 kërkesa për informacion. Faqja zyrtare ka pasur një rritje prej 32,3% të vizitorëve unikë, tregues i interesit të lartë publik.

 SFIDAT PER VITIN 2026

Pavarësisht sukseseve, mbeten ende disa sfida, disa prej të cilave janë evidentuar edhe në vitet e mëparshme, që lidhen me:

  1. Vazhdimin e hetimeve të mëtejshme të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar, duke iu përshtatur dhe duke iu përgjigjur sfidave të vazhdueshme që paraqesin këto fenomene;
  2. Konsolidimin e veprimtarisë së Sektorit të Vlerësimit të Informacionit Kriminal në BKH, si strukturë e specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe rritjen e rolit proaktiv në fillimin e çështjeve kryesisht;
  3. Nevojën për plotësimin e të gjitha pozicioneve të parashikuara në strukturën e Prokurorisë së Posaçme dhe të BKH-së;
  4. Vazhdimin e zbatimit të Strategjisë për uljen e Backlog-ut;
  5. Konsolidimin e plotë i sistemit të Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System);
  6. Akomodimin në ambientet e reja brenda muajit qershor-korrik 2026;
  7. Statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit;
  8. Statusin e specialistit ndërlidhës;
  9. Mungesën e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja;
  10. Ekstradimin/deportimin e shtetasve shqiptarë nga shtete të tjera, sidomos nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

 Të nderuar kryetare dhe anëtarë të KLP-së,

Raporti Vjetor 2025 reflekton përkushtimin dhe profesionalizmin e një institucioni që po përballet çdo ditë me sfida komplekse, por që po synon të japë rezultate të prekshme. Ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë në këtë rrugë, me të njëjtën paanësi dhe integritet, duke forcuar më tej besimin e publikut dhe duke garantuar që askush të mos jetë mbi ligjin.

SPAK do të vijojë me vendosmëri të kryejë hetime dhe të ngrejë akuza të bazuara vetëm në prova, duke shmangur çdo perceptim për drejtësi selektive.  Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një angazhim ynë i përditshëm i cili do të bazohet në ligjshmëri.

*Fjala e plotë e kreut të SPAK, Klodian Braho gjatë raportimit në KLP për veprimtarinë e Prokurorisë së Posacme gjatë 2025

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!