Gazetarja Anduena Llabani thotë se SPAK do të thërrasë për çështjen e ’21 Janari’, ish kryeministrin Sali Berisha dhe Lulzim Basha, i cili asokohe ishte ministër i Brendshëm.
Në emisionin “360 gradë” në ABC News, Llabani u shpreh se janë prishur provat. Sipas Llabanit, do thirret për të dhënë dëshminë e saj, edhe Ina Rama, e cila në vitin 2011 ishte Prokurore e Përgjithshme.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë, i jep të drejtë SPAK që të nisë një procedim të ri për vrasjen e dy prej katër protestuesve. Nuk ka rëndësi nëse ka apo jo prova të reja. Gjykata e Lartë e urdhëron SPAK të regjistrojë procedim të ri, do të kryhen veprime procedurale hetimore, për të shkuar tek autorët. Kush janë tre personat e parë që do thirren? Ish kryeministri Berisha, ish ministri i Brendshëm, Basha dhe ish kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Ndrea Prendi, deri para pak kohësh ka qenë në Shqipëri. Nuk dihet nëse ndodhet aktualisht në Shqipëri. SPAK e ka regjistruar procedimin. U prishën provat, u pengua prokurorja Ina Rama, që të hynte në rrethin ku ndodhej ngjarja. Provat jashtë, gëzhojat ishin mbledhur pas 6 orësh. Nuk u lejua. Edhe Ina Rama do të thirret. Provat e reja, laboratori në Romë, ka mbërritur përgjigje pozitive, ka deklaruar në akt ekspertim që kemi identifikuar një pjesë të gëzhojës së gjetur në trupin e Aleks Nikës”, theksoi ajo./abcnews.al