Grupi Parlamentar i PS do të mblidhen të mërkurën, në orën 09:00, për të dëgjuar kërkesën e rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës Fatbardh Sallaku në lidhje me operacionin e SPAK.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në X, thotë se 24 masat e sigurisë për stafin e UBT janë dhënë pa gjyq dhe bëhet fjalë për disa procedura të disa viteve me parë në shumën më pak se 30 milionë lekë.
Sipas asaj që shkruan kreu i qeverisë, rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim të madh dhe kërkon që të dëgjohet publikisht në lidhje me këtë çështje.
“Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë! Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë2030”, shkruan Rama.
Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më…
— Edi Rama (@ediramaal) February 25, 2025
GJKKO dha 24 masa për pjesëtarë të stafit të këtij institucioni të arsimit të lartë pas një hetimi të zhvilluar nga SPAK, të cilët dyshohen se kanë abuzuar me disa tendera. Gjykata ka caktuar 5 masa “arrest në burg”, 10 “arrest në shtëpi” ndërsa për 9 të tjerë është vendosur “detyrim paraqitjeje”./abcnews.al