Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Laert Haxhiu, i pandehur në gjykatë/SPAK mbyll hetimet për grupin kriminal, atentate në disa qytete

schedule18:08 - 4 Tetor, 2025

schedule 18:08 - 4 Tetor, 2025

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme çështjen ndaj grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.

Sipas akuzës, Haxhiu, i konsideruar organizatori dhe drejtuesi i grupit, së bashku me bashkëpunëtorët e tij Kristi Bixheku dhe Artan Tafani, janë të akuzuar për një sërë veprash penale, ku përfshihen vrasje me paramendim, shkatërrim prone me eksploziv, vrasje për gjakmarrje, vjedhje me armë, si edhe sigurim i kushteve për kryerjen e vrasjeve.

Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti kriminal i këtij grupi është shtrirë në një periudhë dyvjeçare, nga prilli i vitit 2021 deri në maj të vitit 2023, kur vetë Laert Haxhiu u arrestua në Greqi. Ai u ekstradua në Shqipëri në korrik të vitit 2024.

Sipas SPAK, grupi kriminal ka kryer një sërë atentatesh dhe shpërthimesh me eksploziv në qytetet Lushnjë, Peqin, Durrës, Shijak e Korçë, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha materiale. Në listën e akuzave përfshihet vrasja me paramendim e Çajup Selimit në Tepelenë dhe e Fridman Xhaferrajt në Korçë, si edhe vrasja për gjakmarrje e Albi Bashaliut në Peqin.

Mes të tjerash, SPAK thotë se Artan Tagani ne bashkëveprim me Laert Haxhiu dhe Fatjon Veliun, kreu krimin “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve” për vrasje të Rexhep Ginës, në Lushnjë, më datë 6 korrik 2022.

Përveç këtyre, grupi akuzohet edhe për shpërthimet ndaj banesave dhe bizneseve të disa qytetarëve në Lushnjë dhe Durrës, ndërsa ka kryer dhe disa grabitje me armë zjarri. Vetëm gjatë periudhës 2021-2023, Haxhiu dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë organizuar më shumë se 14 ngjarje kriminale të rënda.

SPAK thekson se motivi kryesor i këtyre akteve kriminale lidhet me hakmarrjen për vrasjen e kushëririt të Laert Haxhiut, Klodian Haxhiut, dhe në kuadër të konfliktit me grupin rival të drejtuar nga Aldo Bare.

Përveç tre të akuzuarve kryesorë, pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal janë edhe persona të tjerë të njohur për drejtësinë, si Lulzim Spahija, Ligor Romaçka, Bledar Berberi dhe Erisiano Abedini, për të cilët është paraqitur më herët kërkesa për gjykim.

 

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për persona të tjerë që dyshohet të kenë bashkëpunuar me këtë grup kriminal, i cili sipas prokurorisë ka siguruar armë dhe lëndë shpërthyese në sasi të mëdha dhe i ka përdorur ato për atentate.

Me përfundimin e hetimeve, dosja tashmë i kalon Gjykatës së Posaçme, e cila pritet të nisë procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut dhe bashkëpunëtorëve të tij, për disa nga krimet më të rënda që kanë tronditur vendin vitet e fundit/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!