Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara me vendimin nr.1 datë 7.2.2025 të Gjykatës së Posaçme, në kuadër të procedimit pasuror nr.8 i vitit 2024 ndaj shtetasve J.M dhe M.D.
Të dy shtetasit janë subjekte të hetimit pasuror sipas Ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 dhe po gjykohen nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 166 të vitit 2021 për veprat penale* (shih shënimin për gazetarët).
Mbi bazën e dispozitave të Ligjit nr. 10192 datë 3.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.
Si rezultat i hetimeve të kryera, pasuritë e sekuestruara rezultuan të pajustifikuara nga burime të ligjshme, për të cilat prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale.
Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi:
Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë; Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri; Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;
Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk; Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë; Automjete të markave BMW dhe Audi; Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.; Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.
Totali i të gjithë vlerës së pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi për shtetasit J.M. dhe M.D. si dhe personat e lidhur me ta është: 1,976, 870(një milion e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë) euro dhe 9,330,062(nëntë milionë e treqind e tridhjetë mijë e gjashtëdhjetë e dy) lekë.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (|SPAK) mbetet e angazhuar në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik.


