Sali Berisha dy herë në muaj me detyrim në SPAK/ Apeli i GJKKO publikon vendimin

schedule11:27 - 3 Janar, 2025

schedule 11:27 - 3 Janar, 2025

TIRANË– Apeli i Gjykatës së Posaçme ka vendosur këtë të premte masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj, për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Engert Pëllumbi ishte gjyqtari, që shqyrtoi ankimin e SPAK, kundër vendimit të gjyqtares, Flojera Davidhi, e cila liroi Berishën nga arresti i shtëpisë në fund të nëntorit.

Sali Berisha është i pandehur për korrupsion në dosjen për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Njoftimi i Apelit të Posaçëm:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 03.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 276 akti, datë 26.12.2024 regjistrimi, dhe vendosi:

  1. Ndryshimin e vendimit nr. 674, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:
  • Rrëzimin e kërkesës së të pandehurit S.B. për shuarjen e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e caktuar ndaj tij me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
  • Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, e caktuar ndaj të pandehurit S.B. me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
  • Urdhërohet i pandehuri Sali Berisha  të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.
  1. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
  2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!