SPAK e do në qeli/ Caktohet data kur do mbahet seanca në Gjykatën e Lartë për Jamarbër Malltezin

schedule12:15 - 9 Shkurt, 2024

schedule 12:15 - 9 Shkurt, 2024

TIRANË- Gjykata e Lartë ka vendosur që më 5 mars të zhvillohet seanca për kërkesën e SPAK për rikthimin në qeli të Jamarbër Malltezit, dhëndri i Sali Berishës. Shorti  ka caktuar relator të çështjes, gjyqtarin Sokol Binaj dhe anëtarë Ilir Panda e Sandër Simoni.

Sipas SPAK, Malltezi për të kryer korrupsion akuzohet se ka bashkëpunuar me një nga pushtetarët më të lartë të kohës, e konkretisht ish-kryeministrin Sali Berisha duke cenuar në këtë mënyrë themelet e shoqërisë madje duke e shtrirë korrupsionin edhe në vetë strukturat më të larta shtetërore.

Po kështu sipas prokurorisë, vepra penale e korrupsionit, por edhe ajo e pastrimit te parave klasifikohen në vepra të rënda që në fund dënohen vetëm me burg dhe ndaj Malltezi duhet të shkojë në qelitë e paraburgimit.

Malltezi u arrestua në tetor të 2023, për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe pas një muaj qëndrimi në qeli u lirua nga gjyqtarja e Apelit, Iliriana Olldashi që caktoi masën e “arrestit shtëpiak”.

Sakaq, në të njëjtën datë, në orën 12: 30 do shqyrtohet edhe rekursi i Sali Berishës për heqjen e masës detyrim paraqitje që u caktua ndaj tij fillimisht. Berisha prej datës 30 dhjetor mbahet i izoluar ne banese për shkak se SPAK i kërkoi gjykatës ashpërsim të masës pasi nuk respektoi vendimin e parë të gjykatës..

Ish-kryeministri dhe dhëndri i tij po hetohen nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të korrupsionit në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” dhe ndërtimin aty të 17 pallateve – një biznes që sipas SPAK i mundësoi Malltezit që të fitonte 5.4 milionë euro nga ndërtimi./ abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!